SBASHK mblidhet online marrin vendim për grevën

  • A.P /
  • 23 September 2022 - 19:55
SBASHK mblidhet online marrin vendim për grevën

Përfaqësuesi nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Reshit Kushaj, ka bërë të ditur se sonte në orën 20:00 do të mbahet një takim ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i komisionit për arsim, Ardian Gola.

Ai ka thënë se në këtë takim do të japin përgjigjet e tyre kryetarët e niveleve komunale.

“Në orën 20:00 të mbrëmjes do të mbajmë takimin online. Në takim janë të ftuar i gjithë komisioni në krye me Ardian Golën që të jenë të pranishëm dhe t’i dëgjojnë vetë përgjigjet që do t’i japin kryetarët e niveleve komunale duke u bazuar në përgjigjet që kanë marrë”.

Sot, gjatë ditës komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka zhvilluar një takim ku është diskutuar lidhur me grevën e përgjithshme në arsim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Ymer Ymerin nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Pak para përfundimit të takimit, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka propozuar që të zëvendësohet metoda aktuale e grevës me atë të mosdhënies së notave për nxënësit.

“Mund të jetë një mjet i efektshëm si presion sindikal ndaj qeverisë”, ka thënë Gola duke shtuar se kjo nuk nënkupton që të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

(Kosova Sot Online)