Arrestime në Itali: Shqiptari me ‘Porsche’ të re, xhiro me 2 kg kokainë

  • E.K /
  • 24 September 2022 - 10:47
Arrestime në Itali: Shqiptari me ‘Porsche’ të re, xhiro me 2 kg kokainë

Prato - Karabinierët italianë në Prato arrestuan dy trafikantë droge, veç e veç secilin dhe sekuestruan gjithsej 3 kg kokainë dhe 19,5 kg hashash pas një ndjekjeje dhe vëzhgimi të gjatë.

Të arrestuarit janë një 38-vjeçar shqiptar dhe një 22-vjeçar rumun, të cilëve iu gjet një sasi e madhe droge.

38-vjeçari shqiptar u ndalua në Masiano di Pistoia teksa ngiste një Porsche krejt të re me vlerë mbi 100 mijë euro, në emër të babait të tij. Brenda makinës, policët zbuluan dy shufra kokaine me peshë nga 1 kg si dhe 19,5 kg. hashash ndarë në tableta nga 100 gram secila.

Nga ana tjetër, i dyti u ndalua në Calenzano teksa po drejtonte makinën e tij, brenda së cilës u gjet një shufër kokainë, po ashtu me peshë 1 kg, krejtësisht identike me ato të sekuestruara shtetasit shqiptar.

Mësohet se pjesa më e madhe e drogës së sekuestruar ishte e destinuar për shitje në sheshet e qendrës historike të Pratos ku 38-vjeçari shqiptar ishte vënë re vazhdimisht të takohej me shpërndarës të dyshuar droge.

Për më tepër, kokaina e gjetur mund të kishte dhënë, pasi të ishte prerë dhe shitur me pakicë, rreth 700,000 euro fitim.

Lënda narkotike e sekuestruar tashmë do t'i nënshtrohet analizave për të konstatuar përmbajtjen e përbërësit aktiv, e cila supozohet të jetë veçanërisht e lartë, për të llogaritur se sa mijëra doza të veçuara mund të ishin marrë nga shitja me pakicë e saj. Të dy u mbyllën në burgjet e Pistoia dhe Prato në pritje të gjykimit.

(Kosova Sot Online)