FES demanton mediumin pro Vuçiqit: Lajm i rremë hartimi i statutit të Asociacionit në Beograd

  • A.P /
  • 29 September 2022 - 16:06
FES demanton mediumin pro Vuçiqit: Lajm i rremë hartimi i statutit të Asociacionit në Beograd

Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung ka mohuar se bashkë me Institutin Europian për Paqe është përfshirë në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky demant vjen pas raportimeve të mediumit serb “Novosti”, i cili është i afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se këto dy OJQ janë angazhuar nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak për të hartuar një draft për pikën më të nxehtë të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në një përgjigje, kreu i këtij fondacioni për Kosovë, René Schlee, tha se ky lajm i shpërndarë nga mediumi i afërt me Vuçiqin është i rremë.

Përveç këtij demanti, “Friedrich-Ebert-Stiftung” doli me një deklaratë në faqen zyrtare ku sqaroi për lajmin e publikuar.

“Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Europian i Paqes dëshirojnë të hedhin poshtë pretendimet e bëra nga Večernje Novosti në artikullin e sotëm që i referohet punës sonë. Dy organizatat tona nuk kanë marrë asnjë kërkesë apo mandat nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak, qeveria gjermane apo ndonjë palë tjetër për të hartuar një statut për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”.

Fondacioni thotë se diskutimet e tyre ishin të brendshme, duke përdorur informacione të disponueshme publikisht për tema me interes publik, për të cilën thotë se është prerogativë e shoqërisë civile.

“Na vjen keq që dy organizatat tona nuk u konsultuan në përgatitjen e artikullit. Ne kërkojmë që mediumet që kanë publikuar lajmin të përfshijnë sqarimin tonë në të njëjtin nivel të rëndësisë që ka marrë artikulli origjinal”, përfundon deklarata.

Sot më herët, “Novosti” raportoi se këto dy institute kanë hartuar një draft për statutin e Asociacionit, i cili pas një rishikimi me OJQ-të nga Kosova dhe Serbia, do t’i prezantohet Lajçakut.

Madje, në artikull thuhej se për këtë kishte ndodhur edhe një takim në Beograd. Duke cituar burimet nga qarqet diplomatike, “Novosti” raportonte se për këtë qëllim është organizuar një takim në Beograd, në ambientet e “Aeroklub”, të martën, në të cilin morën pjesë përfaqësues të OJQ-ve të Kosovës dhe Serbisë, misione ndërkombëtare nga Kosova, si dhe diplomatë gjermanë. Atyre iu prezantua drafti i statutit të ardhshëm të Asociacionit, për të cilin mund të bënin komente dhe sugjerime. Pala serbe u përfaqësua nga Milica Andriq Rakiq, Jovana Radosavljeviq, Aleksandar Rapajiq, si dhe Aleksandra Spremo nga Beogradi, nga JUKOM.

“Novosti” shkruan se dokumenti i përmendur nuk ka për qëllim publikimin, por për t’u bërë pjesë e procesit të negociatave pas ngritjes së kundërshtimeve, “d.m.th. për të negociuar me Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë serbe dhe pastaj ta ndahet me një palë e tretë, por nuk është saktësuar se cila është kjo palë”.

Mediumi serb pretendonte se pala e tretë do të jetë Gjermania, përfshirjen e së cilës e prezantoi si jo të favorshme për Beogradin meqë Gjermania është mbështetëse e fuqishme për shtetësinë e Kosovës dhe se i ka kërkuar Serbisë që të ta njohë pavarësinë e Kosovës si kusht për t’u anëtarësuar në BE.

Këto raportime i hodhi poshtë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili në një konferencë për media tha se s’ka ndonjë vlerë.

“Jam zëvendëskryeministër i Kosovës, nuk jam në gjendje dhe as s’e kam për qëllim që të kontrolloj çka bëjnë OJQ-të në Serbi.  Të gjithë janë të lirë të hartojnë drafte e strategji, por ato nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare. Ne i shohim si të pavlera”, tha Bislimi në një konferencë për media.

(Kosova Sot Online)