“Fatlume ishin ato që kishin ndonjë sakicë afër” – deputetja Kurti reagon pas sulmit seksual ndaj Nikqit

  • A.P /
  • 30 September 2022 - 22:57
“Fatlume ishin ato që kishin ndonjë sakicë afër” – deputetja Kurti reagon pas sulmit seksual ndaj Nikqit

Deputetja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti ka reaguar pas sulmit seksual ndaj atletes Mrika Nikqi në Pejë.

Kurti ka thënë se nuk ka vend për pyetjen “kah po shkon kjo botë?”, pasi që sipas saj, të njëjtin fat kanë pasur edhe gratë që kanë jetuar në periudha të mëhershme.

Ajo ka thënë se fatlume kanë qenë ato të cilave u ka rastisur ta kenë afër ndonjë “sakicë” (sopatë), për t’i zmbrapsur sulmuesit.

“Nuk ka vend për pyetjen ‘Kah po shkon kjo botë? ‘. Monstrueze ka qenë edhe për gjyshet tona. Fatlume ishin ato të cilave u ka qëlluar ndonjë sakicë afër me i zmbraps sulmuesit. Aty ku ka rezistencë nuk ka nevojë për turp. Peja duhet të krenohet me Mrikën e  guximshme që po lufton për vete dhe të gjitha ne. Nuk do të thotë se ka më shumë raste për aty ku dijmë. Ka veç rezistencë e luftë më shumë. Aty ku nuk dihet asnjë rast ka fituar heshtja”, ka shkruar Kurti.

Megjithatë, sipas saj, nuk mund të akuzohet asnjë grua që hesht por duhet ndihmuar. Ajo ka thënë se nuk e kanë të gjitha gratë forcën e Mrikës.

“Jo të gjitha gratë e kanë forcën e Mrikës në raste sulmi. As fizike as atë të denoncimit. Por sa më shumë bashkë në këtë drejtim do të rritet guximi e forca. Nga ana tjetër, gratë kanë denoncuar raste të ngjashme ndër vite. Rastet kanë mbetur po aty. Pa asnjë rezultat. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë tërësisht në anën e viktimave dhe me urgjencë të plotë.  Ministrja jonë e drejtësisë njoftoi se bash për raste të tilla, javët e fundit është punuar në ashpërsime të Kodit Penal. Jashtëzakonisht mirë. Do të jetë detyra jona t’i përkrahim ato në Kuvend. Qartë dhe prerë. Në anën e viktimave. Pa kompromise. Kurrfare”, ka shkruar në fund ajo.

(Kosova Sot Online)