Ambasadori gjerman tha se “dy muaj janë pak” për targat, çfarë deklaroi dje Bislimi?

  • E.K /
  • 06 October 2022 - 14:38
Ambasadori gjerman tha se “dy muaj janë pak” për targat, çfarë deklaroi dje Bislimi?

31 tetori është afati i fundit kur serbët e Kosovës duhet ta bëjnë konvertimin e targave në “KM” në “RKS”.

Afati ishte përcaktuar kur është arritur marrëveshja për dokumente më 27 gusht mes Kosovës dhe Serbisë.

Por ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, nuk e konsideron si afat të arsyeshëm këtë dymujorë – thotë se është i shkurtër.

Kërkon që serbët të kenë më shumë kohë për ta bërë këtë transformim.

“Duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion dhe mendoj se dy muaj janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshoj lejen e vozitjes dhe kam pasë katër vjet kohë, por ende nuk e kam ndryshuar dhe e di se duhet ta bëj së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standardet europiane dhe do të thosha se dy muaj janë pak”, ka thënë ai në mbrëmjen e së mërkurës.

E ditën e së mërkurës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është deklaruar në Komisonin për Integrime Evropien se afati do të shtyhet vetëm nëse ka kërkesë të shtuar për konvertim të targave.

Thotë se tash për tash Ministria e Punëve të Brendshme ka kapacitete që të kryej këto procedura administrative.

“Afati i fundit është më 31 tetor, ne kemi thënë që në rast se kërkesa për regjistrim tejkalon mundësitë administrative të Ministrisë së Brendshme, ne jemi të gatshëm për shtyrje të afatit”.

Deri më tash vetëm nëntë serbë e kanë kryer këtë obligim qytetar ndaj Republikës së Kosovës.

Për këtë numër të paktë, Bislimi e ka një shpjegim – thotë se ka presion direkt nga Beogradi.

Madje thotë se një veturë ishte djegur vetëm pse i ka marrë targat “RKS”.

“Pozicioni ynë është ky me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2016 Serbia ka pranuar që targat KM janë ilegale dhe është dakorduar që të njëjtat të largohen nga qarkullimi pas një periudhe 12 mujore e cila ka përfunduar në janar të vitit 2018. Çdo targë KM pas kësaj periudhe është ilegale”, ka thënë Bislimi. “Duk  ditur që pala e dëmtuar janë qytetarët në Veri të Kosovës ne kemi ofruar dritaren shtesë, kur kemi ofruar lehtësira tatimore për ata qytetarë që konvertojnë targat në targa legale dhe kemi filluar një fushatë të informimit. Fatketqisht ka një presion të tmershëm përmes strukturave kriminale që i mban në Kosovë që mos t’i konvertojnë veturat”.

Më 1 gushti ishte paraparë që të niste zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente.

Serbët nuk u pajtuan me vendimin e Qeverisë së Kosovës – alarmet e luftës i kishin ndezur.

Kjo shkaktoi tension në Veriun e Kosovës, barrikadat ishin vendosur.

Në atë situatë, Shtetet Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga Kosova ta shtynin afatin e reciprocitetin.

Kryeministri Kurti e kishte miratuar kërkesën – reciprociteti u shty, për 1 shtator.

Katër ditë para “ditës së panikut”, më 27 gusht ishte arritur një marrëveshje për dokumente mes Kosovës dhe Serbisë.

Por jo edhe për targa – Qeveria e kishte caktuar 31 tetorin si datë tjetër.

Ajo datë po vjen, e marrëveshje s’ka ende. Bashkësia ndërkombëtare po kërkon shtyrje.

(Kosova Sot Online)