Krejt deputetët që janë kundër Kodit Civil, takojnë ambasadorin Abbott

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 11:35
Krejt deputetët që janë kundër Kodit Civil, takojnë ambasadorin Abbott

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Aty u fol për aspektet të cilat ndërlidhen me të Drejtat e Njeriut, përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës seksuale, grupet e margjinalizuara dhe barazinë gjinore.

Temë diskutimi ishte edhe Kodi Civil, me ç’rast shumica prej deputetëve shprehen qëndrimin kundër këtij Kodi.

Kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, e informoi ambasadorin për punën si Komision, me theks të veçantë ligjin kundër dhunës në familje.

“Ligji praktikisht është në fazën finale, jemi duke pritur disa përshtypje financiare dhe do ta procedojmë për miratim në Kuvend. Mendojmë se jemi duke e bërë një ligj i tillë dhe jemi duke e hapur një peticion për ligje. Gjithashtu kemi tetë peticione dhe jemi duke i thirrur për këto probleme të paraqitura. Jemi duke bërë monitorimin kundër diskriminimin”, tha Balje.

Ambasadori britanik,  Nicholas Abbott, kërkoi mendim nga anëtarët e Komisionit në lidhje me Kodin Civil.

“Është kënaqësi dhe jam i interesuar që të dëgjoj ato që doni të arrini. Të gjithë presim stabilitet në Kuvend dhe Qeveri. Unë e pres prioritetin për dhunën në familje dhe siç kemi parë në kohën e pandemisë kemi parë shumë dhunë ndaj grave dhe vajzave. Jam interesuar se çka mund të bëjmë ne dhe çfarë përkrahje ju nevojitet juve. Dhe gjithashtu për Kodin Civil se çka mendoni ju”, u shpreh Abbott.

Për Kodin Civil, foli deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Ajo tha se ky Ligj duhet të kalojë për shkak të rëndësisë që e ka si Ligj.

“Përveç ligjit kundër dhunës në familje, është edhe dhuna në publik, dhe këtë mund ta mbulojmë si Komision, pasi që ndikon në lëvizjen e lirë. Ne kemi biseduar për grat në strehimore dhe kur qëndrojnë gjashtë muaj, nuk kanë më ku të kthehen dhe kur duan të kthehen, ato shkojnë në ato shtëpi ku kanë pësuar dhunë”.

“Unë mendoj personalisht se është dokument që duhet të kalojë dhe duhet ta bëjmë për shkak të komunitetit civil dhe komunitetit ndërkombëtar. Në tërësi është shumë i rëndësishëm që i rregullon çështjet në përgjithësi dhe nuk duhet të shikohet vetëm në një nen”, u shpreh ajo.

Por kundër Kodit Civil, foli edhe kryetarja e Komisionit, Duda Balje. Ajo u shpreh kundër një nisme të tillë shkaku i traditës.

“Kur flasim për këtë Kod, ndryshojnë rrethanat dhe mendimet tona. Si Komision dhe e di që jemi adresa e par sepse mbrojmë të drejtat e njeriut, por duhet të kuptoni se jemi shtet i vogël shkaku i traditës sonë dhe mendoj se nuk jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Unë si kryetare isha kundër dhe ende e kam këtë mendim. Është ligj përmbajtjesor dhe shumë i rëndësishëm por që ende nuk jam ende e gatshme”, tha Duda Balje.

Edhe deputetja e VV-së, Labinotë Demi-Murtezi, shprehi qëndrimin kundër Kodit Civil, duke thënë se i njëjti sillet për 18 vite nëpër zyrat e Kuvendit.

“Personalisht jam kundër gjuhës së urrejtjes ndaj çdo personi që ka bindjet e saja seksuale. Nëse Kuvendi ndalon ose specifikon dënimin e personave që ofendojnë persona të tillë, do të isha e pra që do të votoja. Nga Qeveria është prezantuar si Bashkësi e Regjistruar Civile, prandaj nuk është specifikuar saktë”,

Por qëndrim të saktë nuk dha deputeti i VV-së, Alban Bajrami.

“Ne si Komision kemi punuar në disa drejtime që kanë qenë punë të mbetura në disa legjislatura, siç është Ligji kundër dhunës ndaj grave”.

“Ne kemi nevojë për kodifikim për të gjithë por mendoj se në një të ardhmen të afërm propozuesit do të mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët që të ndahen të kënaqur të dyja palët. Besoj se në të ardhmen do të ketë rezultate pozitive e Kodit Civil. Sigurisht unë e kam parë se shoqëritë më të zhvilluara ta kalojnë këtë Kod, dhe besoj se as në atë vend nuk ka qenë koha e duhur”.

(Kosova Sot Online)