'Na e vranë djalin për herë të dytë', reagimi i prindërve të Agonis Tetaj pas aktgjykimit ndaj Gogajt

  • G.G /
  • 14 October 2022 - 13:52
'Na e vranë djalin për herë të dytë', reagimi i prindërve të Agonis Tetaj pas aktgjykimit ndaj Gogajt

Shaban Gogaj u dënua me shtatë vite e gjysmë burgim për vrasjen e të riut Agonis Tetaj në vitin 2018. Me pesë vite burgim u dënua për vrasje e me dy vite e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Gogaj u dënua për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, edhe pse akuzohej për veprën “vrasje e rëndë”. Vendimi e ka zhgënjyer thellë familjen Tetaj.

Avokati i familjes, Berat Tmava, në një prononcim për gazetën Nacionale, e ka treguar bisedën e tij me prindërit e Agonisit.

“Familja e ka pritë tepër, tepër, tepër rëndë. Tepër keq. Bile nëna dhe baba i Agonisit më thanë “na e kanë vra djalin për herën e dytë”, u shpreh Tmava.

Si avokat i familjes Tetaj, Tmava vendimin e Gjykatës së Pejës e cilësoi si skandaloz.

“Në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, edhe për familjen, edhe për popullin është skandaloz. Bash po më intereson qysh ka me u interesu gjykata e shkallës së parë për këtë vendim. Kemi me dërgu në Gjykatën e Apelit dhe jam i bindur 99% që Apeli e prish këtë vendim, nuk e len kështu”, deklaroi më tutje Berat Tmava.

Avokati i të dyshuarit, Besnik Berisha, pas seancës tha se familja e kishte vlerësuar lart trupin gjykues që sot e mori këtë vendim. Madje i citoi familjarët të kenë thënë se trupi gjykues ia kishte kthyer shpresën drejtësisë.

Tmava vlerëson se ata ende i besojnë sistemit. Megjithatë, thotë se vendimi përfundimtar i sotëm ka qenë skandaloz.

“Ne apet i besojmë sistemit të drejtësië, mirëpo nuk mundem me ditë në kry çka kanë, gjykimin e kanë udhëhequr mirë, por vendimi ka qenë skandaloz”, ka thënë Berat Tmava.

Shaban Gogaj do të qëndrojë në paraburgim jo më shumë se tre vjet, pasi katër tashmë i ka kryer në paraburgim.

Shaban Gogaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Agonis Tetajt, është dënuar me shtatë vite e gjashtë muaj burgim. Gogaj është dënuar për vrasje nga pakujdesia, e jo për vrasje të rëndë, ashtu siç e akuzonte Prokuroria, me ndryshim të veprës penale.

Vendimi është shpallur sot në Gjykatën e Pejës nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Gjyqtarja e ka dënuar Gogajn për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Kjo është hera e tretë që ka ndryshime në veprën penale.

Avokati i Shaban Gogajt, Besnik Berisha, ka folur para medieve, pasi u shpall dënimi ndaj klientit të tij.

Berisha ka thënë para medieve se kjo që ndodhi sot, është drejtësi.

“Më duhet t’i shpreh sinqerisht keqardhjen dhe ngushëllimet për familjen Tetaj, që e kanë humbur djalin e tyre. Rasti që e kishim katër vjet në duar në trajtim, sot mori epilog, që për mua është drejtësi, edhe pse sanksioni mund t’i kalojë kufijtë ligjorë. Për mua ka qenë epilog i pritur dhe i merituar. Kjo është drejtësia”, tha Berisha.

“U faktua se nuk ka pasur dashje. Nuk ka pasur qëllim, nuk ka pasur synim për ta privuar nga jeta të ndjerin. E di që është e rëndë për familjen Tetaj. Një trup gjykues që realisht i ndoqi kërkesat e tyre pa fund, por që e dha verdiktin e prognozuar nga unë”, deklaroi avokati.

“Ky rast është shoqëruar me ndodhi të padëgjuara ndonjëherë. Përjashtimi im ka qenë arbitrar, i kundërligjshëm. Ndërkohë nuk kam ndikuar tek askush. Oda është shtëpia ime. Ka për obligim t’i mbrojë të drejtat e të akuzuarit. Duket se gjykata u pajtua, ne lëshuam pe dhe e zhbllokuam procesin, atëherë kur u bindëm se do të ketë drejtësi”, tha Berisha.

“Drejtësia, kur nuk u bie njerëzve tamam, atakohet. Pala mbrojtëse ka thënë se ky trup gjykues ia ka kthyer shpresën drejtësisë”, përfundoi ai.

Fillimisht, Gogaj ishte akuzuar për vrasje të rëndë. Më pas, vepra ishte kthyer në vrasje nga pakujdesia. Prokuroria e ndërroi sërish veprën në vrasje të rëndë dhe sot Gogaj dënohet për vrasje nga pakujdesia.

(Kosova Sot Online)