Euractiv: Inflacioni në Kosovë në nivele historike, rritet tregtia me Serbinë

  • E.K /
  • 17 October 2022 - 12:18
Euractiv: Inflacioni në Kosovë në nivele historike, rritet tregtia me Serbinë

Inflacioni në Kosovë është rritur me 13% në 12 muajt e fundit me rritjen e tregtisë me armikun fqinj Serbinë, ka raportuar Euractiv, një rrjet mediatk i specializuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas statistikave zyrtare, kostoja e karburantit është rritur me 9.2%, perimet dhe frutat me 2%, dhe mobiljet dhe artikujt e shtëpisë me 2.5%. Por rritje edhe më të ndjeshme janë vërejtur te lëndët djegëse të ngurta dhe drutë e zjarrit, të cilat u rritën në çmim me 60,2% krahasuar me një vit më parë, si dhe vajrat ushqimorë me afro 50%, buka me 33,5%, bulmeti me 25,8% dhe mishi me 22%.

Paga mesatare në Kosovë është rreth 500 € për person në muaj, por paga minimale është afërsisht gjysma e asaj shifre, me shumë që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Ndërkohë, Kosova ka rritur importet e saj nga Serbia me 30% në muajt e fundit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve për refuzimin e Beogradit për të njohur sovranitetin e Prishtinës”, thotë Euractiv

Po ashtu citohet edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se  “në gusht të këtij viti në krahasim me gushtin e një viti më parë shihet se importet nga Shqipëria janë ulur për 10%, por nga Serbia janë rritur për 30%”.

Sipas tij, kjo vë në pikëpyetje deklaratat për rritje të theksuar ekonomike të prodhimit vendor.

“Thellimi i deficitit tregtar, bazuar në këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritur për 150 milionë euro, por importet janë rritur për 800 milionë euro, dhe kjo ka sjellë deficitin tregtar në 3 miliardë euro, që është një rritje prej 56% krahasuar me një vit më parë”, tha Hoti, cituar nga ky rrjet mediatik.

Por një hekurudhë e re mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ndryshojë së shpejti gjërat. Hekurudha Durrës-Prishtinë është aktualisht në fazën e fizibilitetit që nga java e kaluar.

“Kjo linjë e re hekurudhore fillimisht do të plotësojë nevojat e transportit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe vende të tjera që janë gjithashtu të lidhura me Korridori Hekurudhor X (dhjetë) dhe Korridori Hekurudhor IV (katër)” thuhet në termat e referencës për procedurën e shpallur.

Kosova në fillim të tetorit hapi zyrtarisht zyrën doganore në portin shqiptar, duke mundësuar kalimin më të lehtë të mallrave drejt kryeqytetit.

(Kosova Sot Online)