A do të pranonte Kosova marrëveshje pa njohje/Serwer analizon 'propozimin' franko- gjerman

  • A.P /
  • 19 October 2022 - 18:14
A do të pranonte Kosova marrëveshje pa njohje/Serwer analizon 'propozimin' franko- gjerman

Propozimi i Berlinit e Parisit për Kosovën e Serbinë është duke qarkulluar së paku që nga muaji i kaluar. Përmbajtja e pakonfirmuar mbetet intriguese sidomos për kosovarët, pasi me gjasë propozimi nuk e ka “njohjen në qendër”. Francezët dhe gjermanët janë në pritje të Kurtit dhe Vuçiqit. Por a do ta pranonte Kosova këso zgjidhje? Daniel Serwer dyshon se mund të ndodhë diçka e tillë. Agon Maliqi versionin e tij për të gjitha leverditë që Kosova do t’i kishte me pranimin e kornizës, edhe me “njohje të tërthortë”.

Plani franko-gjerman më nuk mohohet, por përmbajtja e tij mbetet në masë të madhe në fazë të spekulimeve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes këshilltarëve të tyre u kanë dhënë Kryeminsitrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciqit një lloj kornize të re për normalizim raportesh.

Kjo kornize e re, sipas një raportimi në media parasheh normalizim të raporteve nëpër një periudhë më të gjatë kohore. Ndërkohë që njohja do të trajtohej pas 10 vjetësh.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kur është pyetur nëse do të ishte e pranueshme një marrëveshja pa njohje reciproke, ka thënë: “Ata [këshilltarët francezë dhe gjermanë] kur kanë ardhur janë takuar tête-à-tête me z. Kurti dhe mendoj që Kurti do e dërgojë përgjigjen e tij, në momentin që i është kërku me dërgu përgjigjen”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Me këtë, ai ka zbuluar se ka një afat kohor kur Kryeministri Kurti duhet të japë përgjigjen e tij nëse e pranon ose jo propozimin franko-gjerman.

Se çfarë po gatuhet dha indikacione edhe Ambasadori i SHBA’së në Beograd Christopher Hilli i cili thekosi se “duam që çështja e Kosovës të zgjidhet në një formë”.

Profesori amerikan Daniel Serwer, që është ekspert i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, nuk e beson se Kosova do të pranonte një propozim të atillë, që njohjen ta merrte tek pas 10 vitesh.

“Dyshoj se Kosova do ta pranojë një dekadë vonesë. Gjithashtu, dyshoj se Vuçiq do të premtojë për ta njohur Kosovën, kurdoherë. Por, do të isha i lumtur po ta bënin”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)