Haki Abazi: Presidenti të zgjedhet me votë direkt nga qytetarët, jo me kompromise në Kuvend

  • E.K /
  • 21 October 2022 - 11:55
Haki Abazi: Presidenti të zgjedhet me votë direkt nga qytetarët, jo me kompromise në Kuvend

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se duhet të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit të vendit në Kosovë.

Ai tha se ai duhet të votohet direkt nga qytetarët dhe të mos dalë nga kompromiset që bëhen në Parlament.

“Konsideroj që presidenti i vendi  duhet me patjetër të zgjidhet me votë direkte qytetare. Vendit nuk i duhet President i kompromiseve në Parlamentin e Kosovës, të cilat për katër vite mbajnë peng raportet dhe konstalacionin ndërpartiak. Ne duhet të kemi President që vërtetë përfaqëson unitetin e kombit dhe me këtë gjë nuk duhet të kemi asnjë lloj loje sepse e dëmton seriozitetin e respektimit të Kushtetutës së vendit. Edhe njëherë, ju lutem të gjithëve që të kemi fokusin dhe përkushtimin maksimal, që këtë proces dhe këtë ligj ta bëjmë garantues të demokracisë, përfaqësimit dhe pasqyrimit real të vullnetit qytetar”, ka thënë Abazi në konferencën e së premtes.

Për reformën zgjedhore ai shtoi se si proces është stërzgjatur dhe tha se kjo është bërë me qëllim të manipulimit.

“Më 1 korrik Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin ad hoc për Reformë Zgjedhore dhe vetëm para 2 jave ka filluar punën ky komision. Ky proces është stërzgjatur me vite të tëra në mungesë të vullnetit politik, për t’i adresuar edhe aspektet e mangësive teknike, por edhe ato përmbajtjesore, me qëllim të manipulimit më të lehtë të votës qytetare, rrjedhimisht demokracisë në përgjithësi”.

Për këtë, Abazi pati një thirrje.

“Prandaj, po ju thërras të gjithëve, ekspertët, juristët posaçërisht, shoqërinë civile, mediat, që ta përcillni e të merrni pjesë në këtë proces vital për demokracinë tonë. Nuk ka asnjë arsye të vetme që ky proces të mos rezultojë me një ligj, i cili përveç se garanton vullnetin qytetar, mundëson që ky vullnet të paraqitet në rezultatin e fundit të zgjedhjeve të institucioneve të vendit. Ai që kemi sot, lejon deformimin e plotë të vullnetit qytetar sidomos për shkak të mungesës së mekanizmave të vërtetimit të votës dhe ndërlidhjes të saj me kandidatin”.

Deputeti i VV-së tha se masakrimi i votës qytetare ndodh në momentin e numërimit, prandaj rekomandon që procesi i votimit të digjitalizohet.

“Në momentin kur fletëvotimet ndahen sipas partive politike dhe në ato të pavlefshme. Pas këtij momenti, komisionerët dhe vëzhguesit janë ata që vendosin se kujt i shkon vota, duke favorizuar kandidatët që përzgjedh partia apo kandidatët me xhepat e thellë, që do të thotë, që në fund, një numër i madh i votës, përfundon te kandidatët, të cilëve ju lexohet emri gjatë numërimit, dhe jo kandidatëve për të të cilët kanë votuar qytetarët. Duhet të insistohet që nga zgjedhjet e ardhshme, sistemi zgjedhor të digjitalizohet plotësisht. Nuk ka asnjë arsye që të mos ekzistojë aplikacioni për zgjedhjet, ku çdo qytetar, me numrin e indentitetit të vet dhe me shenjën e gishtërinjve mund t’i qaset fletëvotimit elektronik, të përzgjedhë kandidatin dhe subjektin politik dhe të dërgojë votën në mënyrë automatike, pa ndërhyrje të komisionerëve të paguar, apo ndikuesve që qëndrojnë rreth qendrave të vendvotimeve. Nëse vihet në dyshim ky sistem, që duhet të funksionoj një ditë të vetme për katër vite, atëherë do të duhej, t’i vejmë në pikëpyetje sistemet elektronike, që për çdo ditë mbajnë informacionet dhe rregullojnë jetën tonë, përfshirë edhe informacionet konfidenciale e personale”, ka thënë Abazi.

(Kosova Sot Online)