A e voton AAK një marrëveshje që s’e ka njohjen brenda? Përgjigjet Ramush Haradinaj

  • E.K /
  • 21 October 2022 - 14:13
A e voton AAK një marrëveshje që s’e ka njohjen brenda? Përgjigjet Ramush Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë i vetmi nga përfaqësuesit e partive opozitare që i ka shkuar sot kryeministrit Albin Kurti në takimin e ftuar pas atij që kanë pasur me emisarin amerikan, Gabriel Escobar. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar pjesëmarrjen meqë kanë thënë se për dialogun duhet biseduar në Kuvendin e Kosovës.

Pas këtij takimi me Kurtin ka qenë Ramush Haradinaj i cili në një konferencë për media ka dhënë detaje për atë që kanë diskutuar. Haradinaj ka thënë se me Kurtin kanë folur edhe në mënyrë specifike për nene dhe preambulë të një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi.

Ndërkohë gazetarët e kanë pyetur Haradinajn nëse AAK-ja do ta votojë një marrëveshje finale me Serbinë nëse ajo s’do të përfshijë njohjen reciproke.

Haradinaj kur është përgjigjur për këtë ka thënë se vendimet në dialog s’mund të ndryshohen pastaj dhe ka bërë thirrje që Kosova t’i qaset me shumë seriozitet këtij procesi.

“Tani me rëndësi është si Kosovë që një proces që është shumë i gjatë, një proces për të cilin edhe kemi vdekë, ta marrim shumë më seriozisht. Vendimet e dialogut nuk është që i ndryshon dikush pastaj. Ju siguroj se duhet të jemi shumë serioz në këtë proces. Duke pasur parasysh sa serioz janë Washingtoni, Berlini, Londra e Parisi”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Ai tutje ka thënë se Kosova jeton me obligimet që ka marrë në dialog dhe atyre obligimeve s’mund t’iu iket.

“Do të punojmë që Kosova të dalë e suksesshme. S’bëhet fjalë këtu as për agjenda zgjedhore e qeverisje, bëhet fjalë për fatin tonë, fëmijëve tonë, brezave. Ne jetojmë sot me obligimet që kemi marrë në dialog, nuk mund të ikim nga ato obligime siç po e shihni. Në këtë drejtim AAK s’do të kursejë asgjë. Atë që dimë dhe që mundemi, do ta ndihmojmë Kosovën, jo Albin Kurtin jo Qeverinë sepse ka pasur qeveri edhe para albin Kurtit”, ka thënë Haradinaj.

(Kosova Sot Online)