“Ishte e gatshme për t’u përballur me agresionin”, Hovenier flet për Albright

  • E.K /
  • 22 October 2022 - 14:27
“Ishte e gatshme për t’u përballur me agresionin”, Hovenier flet për Albright

Angazhimi për avancimin e të drejtave të grave dhe paqen nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright është vlerësuar të shtunën në Forumin për Gratë, Paqen dhe sigurinë.

Në panelin e diskutimit për mësimet nga Albright, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se ajo ishte e përkushtuar ndaj rajonit tonë që gjitha etnitë dhe fetë të jetonin në paqe dhe siguri.

“Kjo flet për përkushtimin e saj ndaj rajonit për gjithë njerëzit të të  gjitha etnive dhe feve që mund të jetonin në paqe e siguri. Gjithashtu, edhe për gatishmërinë  e saj për t’u përballur me agresionin, pasi ishte tejet e palëkundur në parimet e saj”, tha ai.

Pjesë e panelit ishte edhe Ann Lind nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, e cila tha se ndikimi i Albright ka qenë përtej ShBA-së.

Ajo shtoi se nëse gratë do të ishin gjithmonë në tavolinën ku bëhen marrëveshjet, ato do të qëndronin më gjatë.

“Albright gjatë gjithë jetës së saj kishte dashur t’i rregullonte gjërat. Ajo ka qenë dhe ka bërë një ndryshim përtej ShBA-së…Nëse gratë kur janë në tavolinën ku bëhen marrëveshjet të paqes, ato do të qëndrojnë më gjatë. S’ka dyshim për këtë, kjo është fakt dhe pikë…Albright ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, kjo ka qenë pjesë e politikës së jashtme suedeze për kohë të gjatë, por me duhet të shtyjmë ende përpara demokracinë dhe lirinë dhe të drejtat e barabarta”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Monica McWilliams, ish-negociatore për paqe, tha se ka mësuar shumë nga ish sekretarja amerikane e shtetit.

“Si ndërtuese e paqes kam pasur dyshime për intervenimin ushtarak por më pastaj kam kuptuar nevojën e tyre për parandalimin e krizave humanitare, si në Kosovë…ajo çka iu them juve grave të Kosovës është se paqja bënë dallimin. Porosia tjetër që më ka lënë Albright është se është e vështirë të arrihet një marrëveshje, andaj mos e shkelni atë”, theksoi ajo.

Rolin e Albright për paqen dhe gratë e vlerësoi edhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po vazhdon në Prishtinë me panele të tjera të diskutimit.

(Kosova Sot Online)