Musliu: Strategjia e Sigurisë Kombëtare që e ka sjellë kjo qeveri, dokument pa vizion dhe analizë pa sintezë

  • S.A /
  • 24 October 2022 - 13:02
Musliu: Strategjia e Sigurisë Kombëtare që e ka sjellë kjo qeveri, dokument pa vizion dhe analizë pa sintezë

Musliu: Strategjia e Sigurisë Kombëtare që e ka sjellë kjo qeveri, dokument pa vizion dhe analizë pa sintezë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e hartimit të dokumentit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022- 2027.

Musliu tha se ky dokument që është kryesor për Republikën e Kosovës në fushën e sigurisë, nuk paraqet në mënyrë të qartë vizionin dhe orientimin e Kosovës për ruajtjen dhe kultivimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe nuk reflekton memorien institucionale dhe angazhimet e mëdha në ndërtimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes ndër vite. “Në fakt, kjo para se të jetë strategji mund të jetë analizë pa sintezë.

Analiza pa sintezën e saj mbrapa është e mangët, e dobët dhe jo efektive. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një dokument strategjik i cili ka ardhë në Kuvend në rrethana të reja të sigurisë jo vetëm kombëtare por edhe asaj rajonale dhe më gjerë. Gjuha deskriptive e përdorur në këtë dokument tregon shterpësinë e artikulimit të qartë të sfidave dhe nevojave të Kosovës në fushën e sigurisë por edhe mungesën e hapave konkret që shteti i Kosovës do të duhej t’i kishte parasysh në rrethana të caktuara alternative”, tha ajo.

“PDK e sheh fushën e sigurisë si një temë përtej politikës, si çështje kombëtare”, theksoi tutje ajo. Musliu tha se kjo strategji nuk ka ndonjë plan për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Interpol. “Gjithashtu kjo strategji, tek treguesit, nuk përmend afat apo kohë në të cilën Kosova do të aplikoj për anëtarësim apo në Programin e Partneritetit për Paqe. Në të thuhet se vetëm përgaditjet për anëtarësim do të bëhen në vitin 2022. Pra, nuk jemi as në fazën e përgatitjeve për aplikim për anëtarësim në NATO”, shtoi ajo. Deputetja e PDK-së tha se në dokumentin e Strategjisë Kombëtare nuk adresohet fare sfida e migrimit të të rinjëve, gjendja e rëndë socio ekonomike në vend, siguria energjetike dhe lufta hibride.

“Strategjia e Sigurisë e Kosovës 2022- 2027 në kuadër të kërcënimeve, sfidave dhe rreziqeve, ndër të tjera parasheh përpjekjet e vazhdueshme të akterëve shtetëror dhe jo shtetëror për komprometimin apo venien nën kontroll të infrastrukturës kritike kombëtare. Mirëpo, kjo strategji nuk parasheh asnjë hap konkret për zhvillimin, përmirësimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike kombëtare edhe pse infrastrukturën kritike kombëtare e trajton si pjesë përbërse të sovranitetit dhe integritetit territorial. Ne si Grup Parlamentar e kami ngritë këtë çështje në kudër të debatit për sigurinë, me datë 19 Maj dhe edhe pse kanë kaluar afër 3 vite nga hyrja në fuqi e ligjit për infrastrukturën kritike dhe ende nuk ka veprime konkrete lidhur me zbatimin e tij”, tha ajo.

(Kosova Sot Online )