Dardan Molliqaj politikani i parë që u deklarua ateist/Hoxhallarët i kërkojnë ballafaqim

  • A.P /
  • 25 October 2022 - 16:15
Dardan Molliqaj politikani i parë që u deklarua ateist/Hoxhallarët i kërkojnë ballafaqim

Dardan Molliqaj nuk ka hezituar të tregojë se është ateist. Deklarata e tij në fundjavë e ka vënë kryetarin e PSD-së përballë disa hoxhallarëve të cilët e fyen dhe e ofenduan, e madje e kërcënuan duke e ftuar për ballafaqim fizik.

PSD-ja, partia e majtë pa përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, kërkon të rritet duke mbledhur sa më shumë mbështetje nga qytetarët. Përmes qëndrimeve dhe aksioneve kundër Qeverisë, kjo parti synon të futet në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit. Në këtë përpjekje, një deklaratë e guximshme e Dardan Molliqajt mund t’i kushtojë këtij subjekti politik.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, të shtunën u bë politikani i parë në Kosovë që tha publikisht se është ateist – pra, nuk beson se ka zot. Ai në emision tha se nevojitet “luftë frontale” dhe “e pamëshirshme” kundër hoxhallarëve që ligjërojnë se si duhet të vishen e se çfarë duhet të bëjnë gratë.

“Absolutisht kundër hapësirës që u jepet hoxhallarëve për me mbajtë shpjegime se si duhet të vishen gratë dhe ku e kanë vendin gratë. Me këta hoxhallarë duhet një luftë frontale, e pamëshirshme, ndaj secilit që guxon me të folë për këto botkuptime dhe për këto vlera. Ata e kanë vetëm një hapësirë publike, e që është hapësira shpirtërore. Në atë hapësirë ne duhet t’ua lejojmë të drejtën edhe për diskutim, edhe për edukim, por sa i përket relacionit të shtetit me fetë, relacionit të gruas, vendit, emancipimit e këto, unë besoj që duhet të jemi të pamëshirshëm”, ka thënë Molliqaj.

I pyetur se a është besimtar, Molliqaj u përgjigj shkurt, dhe – ndoshta befasisht – jo sikur të gjithë politikanët e tjerë para tij. “Jo, unë nuk jam besimtar. Unë jam ateist”, tha ai.

Kjo deklaratë nxiti si me urgjencë reagimin e disa hoxhallarëve, të cilët e quajtën “farë e fëlliqur” dhe e kërcënuan se s’do ta lënë rehat as për së vdekuri.

“Pabesimtari dhe ateisti i rexhur Dardan Molliqaj kërkon që neve hoxhallarëve të na shpallet luftë frontale dhe e pamëshirshme. KOMENT: Edhe unë botërisht i përgjigjem dhe e sfidoj: Në paq zuzë, hajde nise luftën që e paske ndër mend. Ta shohim se për çfarë lufte e ke fjalën. Mate veten me neve hoxhallarët dhe me besimtarët e këtij vendi. Prandaj kam thënë shumë herë se fara e këtillë e ateistëve është farë e fëlliqur. Para se të jetë farë e rrezikshme, për vendin tonë e për popullin tonë…!”, shkroi në Facebook hoxha Mustafë Bajrami, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Enes Limani, imami i një xhamie në Prizren, ishte shumë më i ashpër. Ky, duke ofenduar, u kujdes edhe t’ia lë një kërcënim në fund të një reagimi në Facebook.

“Përballë “rasadit” tuaj ne Hoxhallarët kryesishtë kemi dy rregulla:1.Juve aspak nuk ju frikësohemi, asnjëher nuk dorëzohemi, ua shkatërrojmë karrierën politike, ua nxjerrim ftyrën tuaj dhe planët tuaja djallëzore ua dështojmë dhe në fundë as që e “rruajmë” për fmijaqa si ju, e kan provuar bajagi burra dhe shko pyeti se ku janë mykur tani…! Dhe rregulli dy është:2.Se harrojmë asnjëherë rregullin e parë duke ia shtuar se edhe për së vdekuri nuk ju lojmë rahat”, ka shkruar ai.

Nuk i mjaftoi kjo dhe ky imam e publikoi një video më vonë ku e ftonte Molliqajn në ballafaqim fizik.

“Mos shko nëpër hoxhallarët tjerë, ja ku jam unë. Bonu burrë, hajde. Qysh të kesh qejf, qysh të duash ti, mu më ke përballë… Këqyre ku po të del llogaria”, shprehej hoxha.

Hoxha Husamedin Abazi, imam në xhaminë “4 Llullat” në Prishtinë, e quajti Molliqajn “mendjesëmurë”.

“…Por ky “ideologqiqi” i ateizmit dhe sekularizmit ekstrem, vetës ia lejoi që në emër të lirisë së shprehjës, jo vetëm të flas çfarë të dojë dhe si të dojë, por edhe të ofendoi e që besa edhe kërcenoi e madje të i’u shpallë luftë frontale dhe të pamëshirshme hoxhallarëve dhe atyre që mendojnë ndryshe nga ky! Këso mendjesëmurë falë Zotit që nuk kemi shumë, se përndryshe këta edhe një herë e kishin instalu ateizmin dhe diktaturën tek shqiptarët!”, ka shkuar ai.

Molliqaj, siç bën shpesh kohët e fundit, veproi krejt ndryshe nga ‘konsensusi’ që e kanë krijuar politikanët që s’besojnë në zot, për të mos e futur veten në telashe me votuesit, të cilën mund të ndryshojnë qëndrim komplet nëse do ta thonin këtë fjalë publikisht.

Politikanët nuk e duan pyetjen “a jeni besimtar?”. Në rastin më të mirë, ata zgjedhin përgjigje për të treguar sa më pak.

“Zoti është shumë i rëndësishme për ata që s’besojnë e lëre më për mua”, pati thënë tani kryeministri Albin Kurti në fushatën elektorale në shtator të vitit 2019. Kjo përgjigje, madje iu kishte pëlqyer disa hoxhallarëve atëherë.

Hoxhallarëve tani s’u bëri përshtypje deklarata tjetër e Molliqajt se mbajtja e shamisë nuk duhet të lidhet me islamin politik apo ekstremizmin fetar.

“Më së pari, ne si subjekt politik jemi sekularist… Jemi pak ma larg se laicizmi. Besojmë që nuk guxojmë me e lidhë – qysh ka tendencë – shaminë me islamin politik ose me ekstremizmin fetar. Ky është një stigmatizim që i bëhet një grupi shoqëror”, ka thënë Molliqaj

Ai ka thënë se mbajtja e shamisë duhet t’i lejohet “kujtdo” dhe “kudo”.

(Kosova Sot Online)