Përsëritet skenari: Lista Serbe në shërbim të Vuçiqit, paralajmëron tensione – një serbit i digjet vetura

  • S.A /
  • 27 October 2022 - 12:11
Përsëritet skenari: Lista Serbe në shërbim të Vuçiqit, paralajmëron tensione – një serbit i digjet vetura

Kur afrohet data e fundit kur qytetarët serbë të Kosovës duhet t’i zëvendësojnë targat ilegale, Lista Srpska, ka nisur me detyrat e saj. Është lajmëruar te Vuçiqi, e prej atje ka paralajmëruar bllokada, duke i dhënë mundësi edhe eskalimeve. Kanë mbetur edhe pesë ditë afat deri në nisjen e zbatimit të vendimit për targat. Një qytetari serb në Leposaviq i është djegur vetura, pasi konvertoi targat në RKS.

Lista Srpska është lajmëruar sot në zyrën e Presidentit serb, Aleksandër Vuciq. Ky është një ritual që LS e kryen, sa herë që Kosova zotohet të zbatojë vendimet që kanë dalë nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, që njëherit është ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, paralajmëroi sot “rezistencë”, nëse nis të zbatohet vendimi për targat ilegale.

“Ne i thamë qartë presidentit Vuçiq dhe i kemi kërkuar atij se në rast se FSK-ja, njëssitet speciale apo kushdo të fillojë të konfiskojë pronat tona, ne do të përdorim të gjitha mjetet dhe do t’i rezistojmënë mënyrë demokratike dhe paqësore. Do të jetë rezistenca e popullit”, ka thënë Rakiq.

Pasi paralajmëroi bllokim të rrugëve të veriut, Rakiq tha se kanë marrë “garanci” nga presidenti serb.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq sot në Beograd.

Më 31 korrik, pak orë para se të hynte në fuqi vendimi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel për targat ilegale dhe reciprocitetit me dokumente, pati tensione në veri. Bllokadat atje u drejtuan nga Lista Serbe.  

Rakiq, pas takimit të sotëm me Vuciqin, la të kuptohet se pret edhe eskalim të situatës në veri.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”.

Këto paralajmërime dolën nga një takim ku prezent ishte edhe nënkryetari i Listes Serbe, Milan Radojqiq, ndaj të cilit ka urdhërarrest në Kosovë dhe i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Presidentja Osmani tha sot se Serbia po kërcënon me dhunë, vetëm pse Kosova po e zbaton ligjin.

“Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton”, deklaroi Osmani para mediave.

Qeveria e Kosovës ka lënë dy muaj kohë, prej 1 shtatorit deri më 31 tetor, për qytetarët serbë që t’i zëvendësojnë targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia, me targat RKS.

Kryeministri Kurti akoma nuk e ka pranuar një kërkesë të shteteve të QUINT-it, që afati për t’i konvertuar targat të shtyhet për 10 muaj.

Gabriel Escobar, emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor, javën e kaluar njoftoi për kërkesën që ia ka bërë Kryeministrit dhe Presidentes, në një intervistë të publikuar dje nga “Zëri i Amerikës”, ka thënë se akoma nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kryeministri Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë lënë të kuptohet në të gjitha deklarimet e tyre të këtyre ditëve se nuk do ta shtyjnë vendimin për zbatimin e marrëveshjes për targa. Sipas tyre, kjo ka të bëjë me sundim të ligjit kundër bandave të orkestruara nga Beogradi, të cilat po frikësojnë banorët serbë për të mos i lejuar konvertimin e targave të veturave të tyre.

Sot u raportua s, sot në Leposaviq, në orët e para të mëngjesit i është vënë flaka një veture të një qytetari serb, menjëherë pasi ka konvertuar targat në RKS.

Ndërkohë, shteti i Kosovës ka bërë një fushatë për informimin e qytetarëve serbë rreth konvertimit të targave. 

(Kosova Sot Online )