
A ishte sot afati që Kosova e Serbia të deklarohen rreth planit franko-gjerman?

Kryeministri Albin Kurti që prej shtatorit kur erdhi plani franko gjerman ka hezituar ta pranojë se ka një të tillë. Kur u konfirmua, Zëvendësi i Kurtit Besnik Bislimi tha se ka një afat për t’iu përgjigjur francezëve e gjermanëve.
Të premten Bislimi e dha përgjigjen në emër të palës kosovare nëpërmjet videolidhjes në një konferencë në Serbi ku dje iu pamundësua pjesëmarrja.
Aty Bislimi theksoi se plani më shumë u afrohet pikëpamjeve të palës serbe, por ai nuk tha se pala kosovare e hedh poshtë.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, tha Bislimi, raportoi koha net.
Qëndrimi i Bislimit ‘koincidoi’ me paralajmërimin e djeshëm të Vuçiq që tha se brenda 24 orësh do t’i dërgojë një përgjigje francezëve e gjermanëve për planin. Ky ‘sinkronizim” lë të kuptohet se dita e sotme mund të këtë qenë një afat që palët t’i bëjnë të ditura qëndrimet. Dje, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi se brenda 24 orëve do të japin një përgjigje për planin franko-gjerman.
Ai shtoi thënë se janë të gatshëm për të negociuar, por sipas tij disa gjera s’mund t’i pranojnë.
Vuçiq ka rikujtuar se plani franko-gjerman tashmë e ka gjetur edhe mbështetjen amerikane.
Bislimi, ndërkaq, po ashtu ka thënë se palët janë pajtuar që dokumentin të mos e publikojnë tash për shkak se “do ta mbyste shpirtin e kontributit drejt arritjes së rezultatit të mirë”. Ai, kështu, ka lënë të kuptohet se mund të ecet tutje me këtë propozim në kuptim të negociatave.
(Kosova Sot Online)