Mediat që i kontrollon Vuçiqi: Procesi i anëtarësimit të Kosovës në KE nis më 3 nëntor, Serbia gati çnjohet

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 13:27
Mediat që i kontrollon Vuçiqi: Procesi i anëtarësimit të Kosovës në KE nis më 3 nëntor, Serbia gati çnjohet

Mediat serbe, duke u thirrur në burimet e Qeverisë në Beograd, kanë raportuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës pritet të nisë më 3 nëntor.

Për këtë ata kanë paralajmëruar veprime të Qeverisë serbe në rast se nis rrugëtimi i Kosovës për anëtarësim në KE, duke paralajmëruar çnjohje.

“Beogradi nuk do të rrijë duarkryq në përpjekjet e Prishtinës, me ndihmën e aleatëve perëndimorë, për të shtyrë anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare”, shkruan “Veçernje Novosti”.

Një nga përgjigjet e para mund të jetë aktivizimi i tërheqjeve të reja të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga e enjtja e 3 nëntorit, nëse në Këshillin e Evropës do të iniciohet procedura për pranimin e Kosovës.

“Beogradi ka në sirtarin e tij shënimet e nëntë vendeve që ndryshuan vendimin për njohjen e Kosovës, të cilin mund ta zbulojë në çdo kohë dhe ‘në pritje’ është gjithashtu një fushatë e gjerë lobimi diplomatik për tërheqje të reja të njohjeve, e cila u ngri pas marrëveshjes për një moratorium në Marrëveshjen e Washingtonit”, shkruajnë mediat serbe.

Sipas “Veçernje Novosti”, presionet e reja ndaj Serbisë nuk do të vijnë vetëm nga Strasburgu dhe Këshilli i Evropës, por është e sigurt se presidenti Aleksandar Vuçiq do të përballet edhe me kërkesat e hapura për një zgjidhje të përshpejtuar në kryeqytetin gjerman, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është planifikuar për 3 nëntor, ku çështja e Kosovës dhe vendosja urgjente e sanksioneve kundër Rusisë, do të jenë temë për Serbinë.

Kosova ka aplikuar në maj të këtij viti për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa më 3 nëntor pritet të mbahet seanca e kësaj jave e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për të nisur zyrtarisht procesin që duhet të kulmojë me pranimin e Kosovës

(Kosova Sot Online)