Zbulohen lidhjet e 'Gjuro-s' me të sanksionuarit e SHBA-së

  • A.P /
  • 03 November 2022 - 19:29
Zbulohen lidhjet e 'Gjuro-s' me të sanksionuarit e SHBA-së

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, i suspenduar sot për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, Nenad Gjuriq, kishte një histori të gjatë të suspendimeve nga Policia e Kosovës.

Ai ishte suspenduar edhe më parë për mos zbatimit të urdhrave dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar në veri të Kosovës, përfshirë edhe me personat të sanksionuar nga SHBA, si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq. Gjuriq njihej edhe për afërsinë me partinë politike serbe pro-ruse DSS.

Komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës Veriore Nenad Gjuriq, i njohur me pseudonimin “Gjuro”, ka qenë pjesë e MUP-it serb në Zveçan, ku ka vepruar si operativ i kësaj strukture ilegale.

I njëjti ka qenë i dëbuar nga Akademia Policore e Serbisë për shkak se ka dështuar në testin psikik për disa herë me radhë, sipas kp.

Në fillim të vitit 1999, ai ka qenë i angazhuar si pjesë rezervë e SUP-it të atëhershëm serb në Mitrovicë dhe ka figuruar në listat e pagave deri në vitin 2001.

Gjatë vitit 2000 Gjuriq iu ka bashkuar grupit ekstremist “Rojat e Urës”. Pas emërimit të tij si Komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, ai ishte përfshirë në veprime kriminale duke pranuar ryshfet nga kontrabandistët e naftës. I njëjti kishte qenë i përfshirë edhe në përcjellën e cisternave të Zvonko Veselinoviq, i sanksionuar nga SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale.

(Kosova Sot Online)