Putin do të anashkalojë samitin e liderëve të G20

  • A.P /
  • 09 November 2022 - 19:26
Putin do të anashkalojë samitin e liderëve të G20

Presidenti rus Vladimir Putin nuk pritet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të liderëve të G20 në Bali, ka thënë për mediat homologu i tij indonezian Joko Widodo.

Widodo, nikoqiri i samitit, tha në një intervistë me Financial Times se ai ka një "përshtypje të fortë" se udhëheqësi rus do ta anashkalojë ngjarjen.

Në intervistën e publikuar të hënën, Widodo tha se Rusia ishte e mirëpritur në samit dhe shprehu shqetësimin se mbledhja mund të errësohej nga një rritje "shumë shqetësuese" e tensioneve ndërkombëtare.

“G20 nuk është menduar të jetë një forum politik. Është menduar të jetë për ekonominë dhe zhvillimin,” tha ai për gazetën.

Komentet e Widodo-s vijnë pasi Putini muajin e kaluar tha se do të "mendonte" pjesëmarrjen në samit, por Rusia "definitivisht" do të përfaqësohej në një nivel të lartë.

Samiti i G20 do të jetë mbledhja e parë e liderëve të ekonomive më të mëdha në botë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe pritet të dominohet nga pasojat e luftës.

Indonezia ka refuzuar thirrjet e vendeve perëndimore dhe Ukrainës për të përjashtuar Rusinë nga samiti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online", duke u zotuar të ruajë neutralitetin dhe duke theksuar potencialin për bashkëpunim në sigurinë e ushqimit dhe energjisë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar, 16 anëtarë të G20 votuan në favor të një rezolute që dënon tentativën e aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës lindore nga Moska. Anëtarët e tjerë të G20-ës Kina, India dhe Afrika e Jugut abstenuan, ndërsa Bashkimi Evropian nuk përfaqësohet në organin e OKB-së.

Widodo ka ftuar gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ka thënë se nuk do të marrë pjesë nëse Putin është atje.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping janë ndër liderët botërorë që pritet të udhëtojnë në samit.


(Kosova Sot Online)