Vendimi për vizat në nëntor 2023

  • A.P /
  • 10 November 2022 - 16:11
Vendimi për vizat në nëntor 2023

Në takimin e grupit punues për vizat, vendet anëtare të BE-së  kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Sipas këtij vendimi që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023,  do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.


Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.


Franca, megjithatë ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Presidenca çeke, që drejton aktualisht Këshillin e BE-së, njofton se është diskutuar propozimi për ta lidhur liberalizimin e vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, që ndodh në nëntor të 2023-s, por nuk ka pasur konsensus.

“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS”, thuhet në një deklarim nga Këshilli i BE-së.

“Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociata. Presidenca do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta përfundojë punën në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet tutje në deklaratën të Presidencës çeke.

(Kosova Sot Online)