
Lexoni edhe:
Kur masa financiare shpallet në prag të votimit ndihma mund të përdoret si instrument për ndikim politik
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Sikur vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për subvencionimin e linjave ajrore të ishte marrë pas përfundimit të procesit zgjedhor, përkatësisht pas 7 qershorit, nuk do të paraqiste asnjë problem, nuk do të ngrinte dilema dhe as paragjykime të arsyeshme tek opinioni publik. Pra, do të konsiderohej vendim i drejtë dhe mirënjohës ndaj mërgatës për kontributin e dhënë ndër vite dhe dekada për shtetin e Kosovës!
-Mirëpo, vendimi i kryeministrit Kurti që, në prag të zgjedhjeve, të ndajë 2 milionë euro për aviokompanitë, për të mbështetur fluturimet e diasporës drejt Kosovës, jo vetëm që është i padrejtë, por duket të jetë edhe tendencioz për përfitime elektorale të subjektit që ai drejton!
Nëse subvencionimi i linjave ajrore është “praktikë rajonale normale”, siç po e konsideron Kurti, fakti se vendimi u mor pikërisht në vlugun e tensioneve politike dhe në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, e jo më herët gjatë planifikimit të sezonit veror të mërgimtarëve, përveçse tendencioz, ngre dilema dhe shkakton konfuzitet në mesin e mërgimtarëve!
Fakti se nuk mund të garantohet transparencë e plotë për këto 2 milionë euro: cilat aviokompani përfitojnë dhe me çfarë kriteresh, krijon rrezikun që fondet publike të përdoren indirekt për ndikim elektoral te diaspora, gjë e cila e bën Albin Kurtin përgjegjës për abuzim me mërgatën tonë dhe jo vetëm!
Subvencionimi i kompanive ajrore me 2 milionë euro, i kompanive më fitimprurëse për llogaritë e tyre private dhe ndër më të shtrenjtat në kontinentin evropian, paraqet shkelje ligjore dhe ndikim të drejtpërdrejtë në votën e mërgimtarëve!
Këtu bëhet fjalë për blerje të votave përmes biletave gratis, me ardhje-vajtje të organizuar të mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sikur të ishte ndryshe, ky vendim i kryeministrit do të merrej shumë kohë më parë, ose duhej të merrej pas përfundimit të procesit zgjedhor, në mënyrë që mërgimtarët dhe qytetarët të besonin në zemërgjerësinë dhe gjenerozitetin e Albin Kurtit!
Siç duket, kryeministri në detyrë e gjeti modelin më pak korruptiv për blerjen e votave të mërgimtarëve, duke subvencionuar kompani të caktuara për bartjen e mërgimtarëve, për t’iu ikur korrupsionit direkt: “Merr biletën, demonstro votën”, siç kishte ndodhur në zgjedhjet e kaluara!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".