U raportua se u sulmua drejtori i një OJQ-je të veriut, reagon policia

  • A.P /
  • 14 November 2022 - 17:00
U raportua se u sulmua drejtori i një OJQ-je të veriut, reagon policia

Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimet e publikuara/raportuara nga organizata të ndryshme si: “NGO Aktiv” e të tjera, ku sipas tyre sot në Jarinje nga zyrtarët policorë është sulmuar z. Miodrag Milicevic, ju informon se ky raportim nuk qëndron dhe se është i pavërtetë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sot, në orën 09:28 personi në fjalë (M. M.) me automjetin e tij, është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinje dhe pas përfundimit të procedurave kufitare i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara.

Me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinje kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre.

Andaj, bazuar në gjendjen reale dhe raportet zyrtare, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, në mënyrë që përmes dezinformatave të tilla të mos tentohet të njolloset puna profesionale e zyrtarëve policorë, të mos krijohen tensione dhe pasiguri te qytetarët.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të saj, të ofrojë zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës në mënyrë profesionale dhe efikase ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.

(Kosova Sot Online)