Eksperti i sigurisë: Izolimi i Kosovës për të lëvizur lirshëm në BE, ka efekte të ndjeshme edhe në sigurinë kombëtare

  • E.K /
  • 19 November 2022 - 13:19
Eksperti i sigurisë: Izolimi i Kosovës për të lëvizur lirshëm në BE, ka efekte të ndjeshme edhe në sigurinë kombëtare

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka shkruar një shkrim në rrjete sociale, për çështjen e liberalizimit të Kosovës, shkruan "Kosova Sot Online".

Musliu ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE, do ta rriste ndjeshëm jo vetëm sigurinë e Kosovës, por edhe të vet BE-së.

Musliu tutje shtuar se izolimi i Kosovës për të udhëtuar në BE, ka edhe efekte në sigurinë kombëtare.

Postimi i tij i plotë:

Izolimi i Kosovës për të lëvizur lirshëm në BE, ka efekte të ndjeshme edhe në sigurinë kombëtare.

Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, për raste emergjente (shëndetësore, financiare, të karrierës e biznesit) aplikojnë për viza në vendet e BE-së.

Me raste të caktuara, për ta siguruar një vizë shengen, duhet gjetur interesin e shtetit tek i cili kërkohet viza. Përveç interesit ekonomik, kulturor e kadrovik, mund të ndodhë që këto shtete kanë edhe interes te aplikanti edhe për çështje sigurie, gjë që mund ta kthejë aplikantin në kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Kjo, ndodh shumë pak ose aspak me vendet mike të BE-së. Por, kjo bëhet shqetësuese, kur ndonjë shqiptar i lig detyrohet ta marrë shtetësinë e Serbisë.

Në këso raste, Serbia do t’i kushtëzonte ata pë t’u pajisur me pasaporta serbe, me çmimin që ta minojë sigurinë nacionale të vendlindjes së tyre – Kosovës.

Nga burime te sigurta brenda hetuesisë së vendit tonë, tregojnë se shqiptarët të cilët po u ndihmonin serbëve nga Nishi i Serbisë, që të blejnë emblema të UÇK-së në Prishtinë, e kishin bërë këtë si këmbim apo “kthim nderi” për shtetësinë e Serbisë.

Prandaj, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE, do ta rriste ndjeshëm jo vetëm sigurinë e Republikës së Kosovës, por edhe të vet BE-së. Nuk do të kishte më sponsorizim të Serbisë që ta cenojë Kosovën dhe BE-në përmes krimit të organizuar, radikalizmit e ekstremizmit apo edhe spiunëve.

Do të shuhej motivi “VIZË” për ta bërë një të keqe!

(Kosova Sot Online)