Policia del me njoftim për protestën e serbëve në veri, "sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale"

  • E.K /
  • 23 November 2022 - 13:15
Policia del me njoftim për protestën e serbëve në veri,

Policia e Kosovës ka njoftuar se në tubimin e paralajmëruar sot nga Lista Serbe, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.

Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, përcjell "Kosova Sot Online"

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës.

Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.

Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Si çdo herë, Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.

(Kosova Sot Online)