Prokuroria sekuestron villat e milionerit Fatmir Grainca në Brezovicë

  • A.P /
  • 02 December 2022 - 20:01
Prokuroria sekuestron villat e milionerit Fatmir Grainca në Brezovicë

Sot nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në aksionin e njohur si “Brezovica”, janë sekuestruar Dy villa luksoze të biznesmenit Fatmir Grainca.

Biznesmeni ferizajas, pronarë i kompanisë “Hit Imperial”, kur ishte kërkuar në mars nga Policia, kishte ikur nga shtëpia.

Ai nuk ishte paraqitur as në gjykatë atë muaj, për shkak të problemeve shëndetësore.

Kështu pati thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.

Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë.

Ai ka një aktakuzë të hapur pikërisht për këtë çështje.

“Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzë

Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

Gjykimi ndaj Graincës dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.