Ursula von der Leyen: Rusia qëllimshëm po sulmon civilët dhe infrastrukturën civile

  • A.P /
  • 07 December 2022 - 20:55
Ursula von der Leyen: Rusia qëllimshëm po sulmon civilët dhe infrastrukturën civile

“Rusia vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë. Ajo qëllimshëm po sulmon civilët dhe infrastrukturën civile”, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Por, ne qëndrojmë me Ukrainën dhe Rusia do të paguajë për mizoritë e saj”, shtoi ajo.

Bashkimi Evropian deri më tani ka miratuar tetë pako të sanksioneve ndaj Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt. Sanksionet evropiane kanë shënjestruar edhe eksportet e naftës, që janë kyçe për Rusinë.

Ambasadorët e BE-së do të diskutojnë për sanksionet e propozuara. Që ato të hyjnë në fuqi, duhet miratimi i të 27 shteteve të bllokut.

Von der Leyen tha se tani BE-ja po synon të sanksionojë “pothuajse 200 persona dhe entitete” dhe t’ua ndalojë atyre pajisjen me viza. Po ashtu, planifikohet ngrirja e aseteve të personave të sanksionuar, përfshirë edhe të zyrtarëve ushtarakë, ministrave dhe kompanive të mbrojtjes.

Në pakon e re, Komisioni ka propozuar sanksionimin të tri bankave, përfshirë Bankën ruse për Zhvillim Rajonal.

(Kosova Sot Online)