Lufta kundër korrupsionit, ambasadorja Kim reagon sërish: U arrestuan ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë, inkurajojmë SPAK-un që…

  • E.K /
  • 10 December 2022 - 16:26
Lufta kundër korrupsionit, ambasadorja Kim reagon sërish: U arrestuan ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë, inkurajojmë SPAK-un që…

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka reaguar sërish mbi çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar që shqetësojnë vendin tonë, pas editorialit të ditës së sotme.

Përmes një postimi në Twitter, Kim ka vijuar mesazhet inkurajuese ndaj institucioneve shqiptare të drejtësisë.

Kim shton se presin më shumë rezultate nga SPAK-u gjatë vitit 2023 duke vlerësuar atë se çfarë është arritur gjatë vitit 2022.

“Kënaqësi të shoh se si SPAK vlerësohet për arritjet e tij gjatë vitit 2022. Presim edhe më tepër arritje gjatë vitit 2023”, shkruan Kim në Twitter.

Kim shtoi se SPAK, që sipas saj u krijua me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë kësaj periudhe ka çuar pas hekurave ish-ministra, gjyqtarë, deputetë e kryebashkiakë.

“Me asistencën e Shteteve të Bashkuara, Shqipëria krijoi një Organ të Posaçëm Kundër Korrupsionit si një organ i ri elitar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Muajt ​​e fundit, SPAK ka arrestuar ish-ministra, deputetë në detyrë, gjyqtarë, polici, prokurorë, kryebashkiakë dhe krerët e krimit të organizuar”, shtoi Kim.

Kujtojmë se më herët ambasadorja Kim përmes një editoriali theksoi se amerikanët do të qëndrojnë në vendin tonë për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit.

Editoriali i saj erdhi pasi dje u shënua dita anti-korrupsion.

(Kosova Sot Online)