E gjuajti "gurin" dhe po e fshehë dorën: Të gjithë e dënuan sulmin ndaj EULEX’it në veri të Kosovës – Vuçiq thotë se nuk ndodhur fare!

  • S.A /
  • 12 December 2022 - 12:38
E gjuajti

Presidenti i Serbisë po e mohon sulmin ndaj patrullës vëzhguese së misionit të EULEX-it në afërsi të Rudarit, duke deklaruar se një akt i tillë po shpiket sepse fare nuk ka ndodhur, shkruan "Kosova Sot Online".

Ai deklaroi se nuk kanë asnjë indikacion për një sulm të tillë, derisa shtoi se sulmet ndaj KFOR-it dhe EULEX-it nuk duhet të ndodhin.

“Ne nuk kemi asnjë indikacion se ka pasur ndonjë lloj sulmi ndaj EULEX-it, por sulmet ndaj EULEX-it dhe KFOR-it nuk duhet të ndodhin”, tha presidenti serb. Lidhur me këtë sulm ka njoftuar vetë EULEX. Përmes një njoftimi, ata kanë thënë se nuk ka pasur asnjë të lënduar dhe nuk ka as dëme materiale.


“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhej në njoftimin e 11 dhjetorit.

Për sulmin ndaj EULEX-it kanë reaguar ndërkombëtarët.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell tha se barrikadat duhet të largohen menjëherë dhe se EULEX do të vazhdojë t’i koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, e akteve kriminale në veri., Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin”, ka shkruar ai në Twitter.

Sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në Rudarë e dënoi edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Shtetet e Bashkuara i bashkohen EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë në Kosovë”, shkroi Hovenier.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme gjermane tha se janë “të papranueshme” sulmet mbi misionin e EULEX-it.

E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se “EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”.

(Kosova Sot Online )