Detajet e fundit: Ja çka po ndodh në Bërnjak

  • A.P /
  • 18 December 2022 - 09:18
Detajet e fundit: Ja çka po ndodh në Bërnjak

Prej kur Veriu i Kosovës është i barrikaduar, sot janë bërë nëntë ditë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online".


Derisa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se ka ngrënë darkë me zyrtarët policorë që po qëndrojnë në Bërnjak. Mirëpo, këtë vizitë të Sveçlës, Lista Serbe e ka quajtuar provokim. Ndërsa në mesditë, Policia njoftoi edhe për një barrikadë të re në lagjen Berxhane.

Sot po hyjmë në ditën e nëntë prej kur veriu është i barrikadur për shkak të revoltës së serbëve lokalë ndaj arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.

Dje, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se ka darkuar me zyrtarët policorë në Bërnjak.


“Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë”, ka shkruar ai.

Ministri i Brendshëm po ashtu bëri të ditur se Kosova “ka kapacitete për t’i larguar barrikadat”, pa harruar t’i përmendë partnerët ndërkombëtarë.

“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.”

Por kjo vizitë e Sveçlës në Veri nuk i ka pëlqyer Listës Serbe.

Kjo parti në një njoftim, ka thënë se shkuarja e Sveçlës në Veri është “provokim tjetër i Albin Kurtit me qëllim përshkallëzimin e situatës në terren”.

“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona. Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, thotë kjo parti, sipas Kossev.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmi nga Prishtina, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në Listën Serbe.

Ndërkaq, dje Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës është vendosur një barrikadë e re në veri, saktësisht në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe se dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues po angazhohet në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, ka njoftuar Policia.

(Kosova Sot Online)