BQK: Sistemi bankar në vend vazhdon të mbetet një institucion i besueshëm

  • A.P /
  • 23 December 2022 - 21:26
BQK: Sistemi bankar në vend vazhdon të mbetet një institucion i besueshëm

Kosova ka një sistem bankar tejet funksional dhe me kontribut të madh në ekonominë e vendit, ka theksuar guvernatori i Bankës Qendore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas të dhënave të BQK-së, vetëm në vitin 2022, janë lëshuar 1.58 miliard euro kredi të reja, ku mbi 65% e tyre janë për biznes dhe 35% për ekonomitë familjare.

Sistemi bankar në vend vazhdon të mbetet një institucion shumë i besueshëm për qytetarët pasi që depozitat bankare janë rritur për 14.2%, apo në vlera monetare 5.3 miliard euro dhe mbi 67% e tyre janë depozita të ekonomive familjare ndërsa pjesa tjetër, e bizneseve.

“Sistemi bankar ka kapacitet të mjaftueshëm për të përkrahur invesimet e ndryshme në vend dhe pa asnjë dyshim është kontribues i jashtëzakonshëm i ekonomisë vendore. Gjithashtu sektori bankar vazhdon të ruaj trendin e njejtë të interesit bankar si për kredi që është aty rreth 6% ashtu edhe për depozita deri në 1.5% dhe të njejtat nuk do të ndryshojnë as në vitet në vijim”, ka thënë guverantori Mehmeti.

Sipas tij, ekonomia vendore pritet të stabilizohet në gjysmën e dytë të vitit tjetër, ku inflacioni do të bie nën 6%.

(Kosova Sot Online)