Zbulohet kërkesa zyrtare, akademikët po ja kërkojnë dorëheqjen Mehmet Krajës

  • S.A /
  • 27 December 2022 - 12:31
Zbulohet kërkesa zyrtare, akademikët po ja kërkojnë dorëheqjen Mehmet Krajës

Akademikët Jusuf Bajraktari, Hivzi Islami dhe Frashër Demaj kanë akuzuar kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, për keqpërdorim të ueb-faqes së ASHAK-ut.Përmes një reagimi, këta akademikë kanë bërë me dije se Kraja ka kohë që keqpërdor faqen e këtij institucioni, transmeton "Kosova Sot Online". 

Sipas tyre, publikimi i analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, e cila nxiti reagime të shumta është vetëm një rast që Kraja ka keqpërdorur këtë institucion.

Bajraktari, Islami dhe Demaj kanë bërë me dije së Kraja urgjentisht duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të ASHAK-ut.

Tre akademikët kanë treguar se keqpërdorimet e kryeakademikut filluan me heqjen e disa “In Memoriame” nga faqja e institucionit.

“Para skandaleve lidhur me dokumentin megaloman të Kryetarit të Akademisë, M. Kraja, i cili ka një kohë që po e keqpërdor edhe faqen zyrtare të saj. Së pari kjo ndodhi me disa “In Memoriame” për miqtë e tij jashtë Akademisë, të cilët pasi qëndruan gjatë, me ridizajnimin e faqes, u hoqën, por në arkiv ruhen! Pastaj vazhdon avazin me tekst-pamfletin e tij, të publikuar disa herë dhe në disa vende brenda 11 muajve, por në vëllim të ndryshëm dhe në versione të retushuara: hiq e fut tekste, njëherë në emër të Akademisë, herën tjetër në emrin e tij personal”, është thënë në reagim.

Me tej, ata kanë përmendur rastin e publikimit të analizës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.

Sipas tre akademikëve, kjo analizë në ueb-faqe është futur me 21 dhjetor të këtij viti dhe jo më 23 dhjetor.

“Në versionin e “23 nëntorit 2022”, në 36 faqe, në faqen zyrtare të Akademisë, në fund të tekstit figuron data e 24 janarit 2022. Në të vërtetë, sipas hulumtimeve tona, ky tekst nuk është futur më 23 nëntor 2022, por më 21 dhjetor 2022, atë ditë kur është publikuar në “facebookun” e tij, në ora 2:52, ku akuzohen H. Thaçi, E. Rama, A. Ahmeti, D. Abazoviqi, B. Pacolli dhe riredaktohen tekstet për ngjarje të ndryshme historike dhe aktuale, nga “Beteja e Kosovës” deri më sot etj.! Ndërkaq, në faqen zyrtare të Akademisë të “23 nëntorit” (në fakt të 21 dhjetorit) hiqen emrat dhe denoncimet ndaj personave të përmendur, por ka edhe ndryshime të tjera esenciale”, thuhet në reagim, duke shtuar se këto fakte flasin për qëndrimet labile të kryeakademikut.

“Edhe ky fakt flet për një veprim perfid, manipulativ dhe për qëndrimin e tij labil. Gjithë opinioni e pa se bëhet fjalë për një keqpërdorim dhe falsifikim flagrant të z Kraja! Ndërhyrja e drejtuesit të institucionit në faqen zyrtare të tij është shkelje e rëndë institucionale dhe morale! Për të qenë turpi edhe më i madh, dje (e hënë, 26 dhjetor 2022, pas dite), e ka hequr krejtësisht nga ueb-faqja e Akademisë vegëzën “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, të cilën vet e ka vënë më 21 dhjetor 2022!”, kanë vlerësuar akademikët. Me tej, ata kanë bërë me dije se akademikët analizën e Krajës e kanë marrë pas 11 muajve.

“Të gjithë anëtarët e Akademisë e morën zyrtarisht një material prej 42 faqeve, i cili është publikuar në “facebookun” e Kryetarit pas plot 11 muajve. Materiali nuk është miratuar nga anëtarësia dhe as nga ndonjë organ i Akademisë, ndërsa Seksioni i Shkencave Shoqërore më 26 janar 2022 e ka hedhur poshtë në tërësi. Sipas deklarimit të vet Kryetarit, që u bë edhe publik me dt. 21 dhjetor 2022 nga Demokracia.com, versionin e gjatë prej 42 faqeve e kishte reduktuar në 7 faqe dhe u jep ultimatum anëtarëve të Kryesisë së ASHAK-ut që të përgjigjen brenda dy ditëve! Çka ka ndodhur pastaj ne nuk jemi në dijeni, por Kryetari deklaroi se më 23 nëntor (datë manipuluese e tij!) Kryesia e ka aprovuar një tekst, ndërkaq Sekretari shkencor, anëtar i Kryesisë dhe numri tre i Akademisë, Luan Mulliqi, thotë publikisht (në koha.net, më 23 dhjetor, në ora 23:17) se “nuk është e vërtetë që ai tekst ka marrë miratimin e Kryesisë për t’u publikuar. Përkundrazi, është kundërshtuar. Është e vërtetë që sjelljet e Krajës janë imponuese dhe arbitrare, me theks të veçantë të arrogancës””, është thënë në reagim.

Akademikët, të parit të ASHAK-ut ia kanë përmendur edhe çështjen e “Big Brother”.

“Më 21 dhjetor 2022 del një tekst në “facebookun” e Krajës, pra me emrin e tij, e kjo ndodhi katër ditë pas skandalit me “Big Brother” dhe kritikës që i bënte drejtuesi i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, por edhe reagimeve të opinionit të gjerë. Duket që Kraja këtë e bëri për ta mbuluar turpin me shpërndarjen e tekstit të një mësuesi italian që e fyen “Big Brotherin”. Për manipulimet e sipërpërmendura, kërkojmë që Mehmet Kraja urgjentisht të japë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të ASHAK-ut. Ky akt do të shërbejë si veprim i duhur akademik dhe institucional i ruajtjes së dinjitetit të Akademisë dhe anëtarëve të saj.”, përfundon reagimi i tre akademikëve.

Image

(Kosova Sot Online )