Pse hyri policia në shtëpitë e Martinajve

  • A.P /
  • 29 December 2022 - 14:26
Pse hyri policia në shtëpitë e Martinajve

Nga kontrollet që u kryen në shtëpitë e familjes Martinaj në Fushë-Kuqe nuk pati asnjë të arrestuar. Arsenali i armëve do të ekzaminohet në laborator, ndërsa të afërmit e Ervis Martinajt u lanë të lirë pasi bënë deklarimet në polici.

Por përse e kaloi RENEA dhe FNSH pragun e shtëpive të familjes Martinaj? Çfarë domethënie ka një aksion i tillë 5 muaj pas zhdukjes së nipit të tyre Ervisit?

Për të kuptuar lëvizjen e policisë duhet të rikthehemi në ditët e fundit të gushtit të këtij viti.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme në enigmën e zhdukjes së Martinajve është ngjarja e 24 Gushtit, kur u arrestua efektivi i policisë, Jeton Lami.

Në momentin e arrestimit Ervis Martinaj ishte zhdukur prej dy javësh.

Gjatë paradites, në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës thirret nga shefat e tij efektivi i operacionales Jeton Lami. Sapo u paraqit në zyrë, Lami u pyet nëse kishte pasur njohje me Ervis Martinajn, nëse e kishte takuar atë në ndonjë rast, nëse kishin njohje të përbashkëta.

Efektivi në fillim, mohoi gjithçka. I quajti të pavërteta hamendësimet e shefave, deri kur këta i treguan videon e famshme nga Hotel Adriatik në Durrës. Ai duket se ecën së bashku me Ervis Martinajn dhe të dashurën e tij. Lami kishte prenotuar dhomën e hotelit në emrin e tij, pasi Ervis Martinaj do të kalonte një natë me të dashurën.

I kapur në befasi, Jeton Lami ka pranuar njohjen dhe shoqërimin e Martinajt. Në zyrë, iu vunë prangat dhe u shoqërua në qeli.

RRËFIMI TEK GLEDIS NANO

Jeton Lami është ende sot çelësi që mund të zbërthejë misterin mbi fatin e Ervis Martinajt. Prej tre muajsh thuhet se refuzon të flasë. Por kjo është pjesërisht e vërtetë.

Pasi u arrestua në 24 Gusht, Jeton Lami pranoi të takohet vetëm me një njeri, Drejtorin e atëhershëm të Policisë, Gledis Nano.

Për disa orë, ata kanë qëndruar bashkë në qeli dhe Nano dëgjoi me veshët e tij gjithçka që dinte Jeton Lami.

Mësoi jo vetëm për hasmëritë e Martinajt, por edhe për destinacionin e tij të fundit dhe çka është më e rëndësishme, u njoh me emrat e shefave të policisë që ishin në listë-pagesën e Ervis Martinajt.

SHKARKIMI I GLEDIS NANOS

Pasi u njoh me dëshminë e Jeton Lamit, që tregoi destinacionin e fundit të Vis Martinajt dhe emrat e policëve që paguheshin prej tij, Gledis Nano u takua menjëherë me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi tek i cili raportoi gjithçka.

Këtu nisi edhe fundi i karrierës së tij. Bledi Çuçi i premtoi një përgjigje ditën e hënën. Dhe ashtu ndodhi.

Në takimin e radhës, të hënën e datës 29 Gusht Lapsi.al raportoi një takim të tensionuar në zyrën e Çuçit. Aty Gledis Nano mori ftesën për të dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

“Arsyeja” që i dha Çuçi ishin rezultatet e dobëta për rendin dhe sigurinë gjatë sezonit turistik.

I tensionuar nga përgjigjia e Çuçit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë takoi kryeministrin Edi Rama. Shpresa e tij ishte se Rama do t’i jepte një përgjigje tjetër nga ministri. Lapsi.al mësoi se Rama u tregua i mirëkuptueshëm me Nanon, por në fund i tha të vepronte siç e kishte këshilluar ministri.

Vetë Rama më vonë gjatë një interviste në Opinion tha se në këtë takim, Gledis Nano ia konfirmoi dorëheqjen, por më pas ndryshoi mendje.

“Ai ma kishte konfirmuar mua dorëheqjen. Iu kërkua dorëheqja sepse situata e kohës së fundit ishte problematike. Kjo kërkonte një ndryshim të lidershipit të saj në krye të policisë së shtetit” – është shprehur Rama gjatë intervistës në Opinion.

(Kosova Sot Online)