Si u zbulua droga, zyrtarja e AKSHI-t me 58 kg drogë në makinë. Dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut nga Tirana drejt Maqedonisë së Veriut

  • E.K /
  • 30 December 2022 - 11:42
Si u zbulua droga, zyrtarja e AKSHI-t me 58 kg drogë në makinë. Dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut nga Tirana drejt Maqedonisë së Veriut

Drejtuesja e një zyre në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit drejtonte një rrjet të trafikut të drogës drejt Maqedonisë së Veriut.

Erisa Fero, 28 vjeçe, u arrestua në zonën e Linit në Pogradec, ndërsa në automjetin në pronësi të saj kishte 58 kilogramë drogë e llojit kanabis sativa. Policia tha se droga ishte transportuar nga Tirana në drejtim të Qafë Thanës nga ana e zyrtares së AKSHIt dhe më pas do të trafikohej nga dy persona drejt Maqedonisë së Veriut.

OPERACIONI

Një operacioni i koduar “Restart 13” çoi në pranga tre persona, ku përveç zyrtares në rrjetin e trafikut ishte përfshirë edhe një djalë 17-vjeçar. Në pranga përfundoi edhe 32-vjeçari Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë Kruja. Operacioni u ndërmor pas informacioneve në rrugë informative se në zonën midis fshatit Lin trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Menjëherë janë vënë në lëvizje forcat e rendit dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi Likë Basha.

Gjatë kontrollit në pjesën e bagazhit u gjet lënda narkotike e ndarë në 51 pako. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja Erisa Fero dhe dy shtetasit e tjerë të arrestuar, e kishin siguruar sasinë e drogës në kryeqytet. “Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip ‘Volkswagen’ pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës. Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi Policia.

SI NISI OPERACIONI

Me arrestimet e djeshme në kuadër të operacioneve të koduar “Restart”, ka shkuar në 25 numri i personave të arrestuar, ndërsa janë sekuestruar plot 593.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate. Grupi i trafikut transportonte drejt Greqisë dhe Maqedonisë kanabisin e prodhuar në Shqipëri. Faza e parë e operacionit nisi më 7 nëntor të vitit të shkuar, kur Policia arrestoi katër persona, tre prej të cilëve me precedentë penalë, të cilët policia i konsideroi “Grup i strukturuar kriminal” në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit të parë, u sekuestruan 114 kg drogë, 1 armë sportive, 4 automjete, si dhe 1 presë që shërbente për paketimin e lëndës narkotike. Fillimisht u kap avokati Joni Mosku (me precedentë), duke trafikuar me makinën e tij tip “Opel Meriva”, një sasi prej 66 kg kanabis nga Pika Kufitare e Goricës.

(Kosova Sot Online)