Lihet në burg drejtoresha e Mjedisit që u zhvati mijëra euro qytetarëve, mbërriti në gjykatë me pranga në duar dhe kapuç në kokë

  • E.K /
  • 30 December 2022 - 11:44
Lihet në burg drejtoresha e Mjedisit që u zhvati mijëra euro qytetarëve, mbërriti në gjykatë me pranga në duar dhe kapuç në kokë

Gjykata e Korçës dha këtë të premte masën e sigurisë “arrest me burg” për Viola Sterjon, e cila u arrestua tre ditë më parë nën akuzën “mashtrim me pasoja të rënda”.

Sterjo mbërriti në ambientet e gjykatës me pranga në duar dhe me kapuçin e xhupit në kokë.

Sterjo, e cila punonte drejtoreshë në Drejtorinë e Mjedisit në Bashkinë Tiranë, u denoncua nga disa qytetarë nga Korca dhe Pogradeci të cilëve dyshohet se u ka marrë shuma të mëdha parash duke ju premtuar se do të ndikonte tek politikanë në Tiranë që ata të përfitonin financime nga AZHBR.

Dyshohet se Sterjo u ka marrë qytetarëve të ndryshëm shumë që variojnë nga 2.2 milion euro deri në 4.5 milion euro.

Seanca këtë të premte, 30 dhjetor u zhvillua me dyer të mbyllura pasi prokuroria ndodhet edne në fazën e hetimeve dhe përmbajtja e akteve dhe veprimeve hetimore të kryera është sekret.

Në dosjen e Prokurorisë së Korçës jepen dëshmitë e qytetarëve të ndryshëm se si përfunduan të mashtruar nga ana e zyrtares me premtime për grante miliona euro për ndërtim hotelesh dhe resortesh kryesisht në Voskopojë.

(Kosova Sot Online)