Alarmon Mujku: Motelet në Prishtinë problem shumë serioz, po frekuentohen edhe nga vajza tejet të reja në moshë!

  • S.A /
  • 03 January 2023 - 12:48
Alarmon Mujku: Motelet në Prishtinë problem shumë serioz,  po frekuentohen edhe nga vajza tejet të reja në moshë!

Sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku, numri i madh i moteleve në Prishtinë përbën shqetësim serioz. Si rrjedhojë ai  ka konfirmuar që si qendër kanë kërkuar inspektim të moteleve.

“Për neve përbën shqetësim vet fakti që ekziston një numër shumë i madh i moteleve në Prishtinë, rreth Prishtinës në zona të ndryshme dhe nuk ka kontroll. Pse kemi kërkuar? Kemi kërkuar të ketë një inspektim, kontroll sepse në shumicën e rasteve edhe të dhunimeve edhe të rasteve tjera ndërlidhet përdorimi i këtyre moteleve dhe aty nuk ka ndonjë kontroll, nuk merret askush me moshën e personave të cilët hynë, e kryejnë një shërbim, dalin jashtë dhe nuk e dinë se çka ndodhë aty”, ka deklaruar Mujku.

Mujku ka hedhur dyshime se këto motele po frekuentohen edhe nga vajza tejet të reja në moshë. “Mund të ketë dhunim, vrasje gjithçka dhe mund të ketë prezencë të fëmijëve, vajzave edhe 11-12-13 të cilat i frekuentojnë këto motele”, ka thënë ai. Në këtë përfundim drejtori thotë se ka ardhë për shkak të raporteve që ata posedojnë, që jo rrallë herë skenat e veprave penale ndodhin brenda këtyre hapësirave. “Prandaj mendoj se duhet ta kemi një kujdes të shtuar edhe në këto motele në mënyrë që të parandalojmë edhe rastet më të rënda dhe ne zakonisht deklarohemi në bazë të raporteve”, u shpreh drejtori. Përgjatë kësaj intervistë, Mujku ka folur edhe për rastin që tronditi Kosovën, atë të dhunimit të 11 vjeçares nga Prishtinë nga persona të ndryshëm. Ai konfirmoi se viktima ka qenë fëmijë i adaptuar, por pavarësisht këtij fakti, sigurisht si qendër janë përkujdesur maksimalisht për viktimën sipas tij.

(Kosova Sot Online )