Ja çfarë e shkaktoi ndaljen e fluturimeve

  • A.P /
  • 11 January 2023 - 18:25
Ja çfarë e shkaktoi ndaljen e fluturimeve

Pas një ndërprerjeje në sistemin që paralajmëron pilotët për çfarëdo problemi që mund të paraqitet, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e ka lejuar rinisjen e fluturimeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Kjo ndërprerje kishte detyruar më parë FAA-në të ndalonte të gjitha fluturimet e brendshme në Shtetet e Bashkuara për disa orë.

Mbi 4.000 fluturime u vonuan dhe më shumë se 600 të tjera u anuluan për shkak të kësaj ndërprerjeje që nga mëngjesi i së mërkurës. Fluturimet brenda SHBA-së filluan dalëngadalë të riniseshin pasi u hoq një ndalesë tokësore.

Më poshtë e keni një përmbledhje të shkurtër të punës së sistemit të paralajmërimit për pilotët, atë që dihet deri tani për problemin e shfaqur dhe informacione për njoftimet e sigurisë që u jepen pilotëve, të njohur si NOTAM.

Sistemi FAA që ka për qëllim të dërgojë njoftime te pilotët për rreziqet pati një problem teknik rreth orës 2 të mëngjesit, sipas kohës lokale, thanë zyrtarët.

FAA urdhëroi linjat ajrore të ndalonin të gjitha fluturimet e brendshme deri në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale, përderisa sigurohej nëse ishte rikthyer sistemi dhe ishte rikyçur në internet.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ishte informuar për ndërprerjen nga sekretari i Transportit, Pete Buttigieg.

“Nuk ka asnjë provë të një sulmi kibernetik deri tani”, tha sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në një postim në Twitter, teksa shtoi se rasti po hetohet nga Departamenti Amerikan i Transportit.

Çka është NOTAM?

Sistemi që pati probleme të mërkurën është pjesë e një sistemi gati shekullor, të njohur fillimisht si Njoftimet për Aeroplanët – që fillimisht u modelua sipas një sistemi për njoftimet për marinarë.

Sistemi, i cili më 2021 u riemërua në “Njoftimet për Misionet Ajrore”, ka për qëllim të paralajmërojë pilotët për çfarëdo rreziku – që nga bora, hiri vullkanik apo afërsinë e zogjve.

Ky sistem gjithashtu ofron informacion mbi pistat e mbyllura dhe kufizimet e përkohshme të hapësirës ajrore.

NOTAM-et e dërguara nga Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së janë pjesë e një sistemi global sigurie, të menaxhuar nga agjencia e aviacionit e Kombeve të Bashkuara.

Pilotëve u kërkohet të rishikojnë njoftimet e fundit, të printuara në letër ose përmes një iPad-i, përpara se të nisen.

Informacionet mund të jenë deri në 200 faqe për fluturime ndërkombëtare me distanca të gjata.

NOTAM-et shkruhen në një lloj stenografie të koduar, që fillimisht ishte krijuar për ta bërë komunikimin më efikas.

Si ka ndryshuar ky sistem?

Organizata e Aviacionit Civil e OKB-së (ICAO) ka udhëhequr një tentim për riparimin e këtij sistemi, për t’ua bërë pilotëve dhe linjave ajrore më të lehtë filtrimin e njoftimeve më të rëndësishme dhe shfaqjen e tyre në gjuhë më të qartë.

Në korrik të vitit 2017, një avion i linjës ajrore Air Canada kishte zbritur në pistën e gabuar në aeroportin e San Franciskos dhe pothuajse ishte përplasur me katër avionë të tjerë.

Njoftimi për mbylljen e njërës prej dy pistave në atë aeroport ishte shënuar në NOTAM para fluturimit – në faqen e tetë të një dokumenti prej 27 faqesh – dhe pilotët nuk e kishin parë.

(Kosova Sot Online)