Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Rice: Agresioni rus duhet të marrë përgjigjen më të fortë të mundur

  • S.A /
  • 14 January 2023 - 12:13
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit  Rice: Agresioni rus duhet të marrë përgjigjen më të fortë të mundur

Condoleezza Rice, Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me më shumë urgjencë për të ndihmuar Ukrainën në betejën e saj për të zmbrapsur agresionin rus. Zonja Rice, e cila shërbeu në administratën republikane të ish-Presidentit George W. Bush thotë se perëndimi nuk duhet të druhet të përgjigjet me forcë ndaj Presidentit Putin, për agresionin dhe shkeljen e normave ndërkombëtare, shkruan "Kosova Sot Online ".

Rice thotë se ndihma që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës, është e konsiderueshme, por thotë se Uashingtoni duhet të veprojë më me urgjencë në plotësimin e nevojave të ushtrisë ukarinase.

“Ne duhet t’i japim Ukrainës mjetet që i nevojiten në mënyrë që të vazhdojë të zmbrapsë agresorin rus. Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull: ndoshta mund të kishim parashikuar muaj më parë se Ukraina do të kishte nevojë për mbrojtje ajrore, sepse e vetmja gjë që i mbetej Vladimir Putinit ishte të përdorte taktika terroriste dhe të ndërmerrte sulme me raketa kundër qendrave civile ukrainase”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Zonja Rice thotë se historia tregon se sulmet e paprovokuara dhe sfidat ndaj shtetit ligjor dhe rendit ndërkombëtar nuk duhet të injorohen. Ajo përmend si shembuj Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001.

“Këtë herë askush nuk po kërkon trupat tona. Ukrainasit janë të gatshëm të luftojnë dhe të vuajnë për të mbrojtur një sistem ndërkombëtar në të cilin nuk është e pranueshme të shkatërrosh fqinjin tënd më të vogël me forcë ushtarake”.

Ajo thotë se Amerika ka një interes të jashtëzakonshëm t’u dërgojë mesazhin rusëve, se kjo nuk do të lejohet. Zonja Rice e kundërshton argumentin se provokimi i mëtejshëm ndaj presidentit rus, Putin do të rriste gjasat për opsionin bërthamor. Ajo thotë se asgjë nuk e ka frenuar atë, por se nuk mendon se ai do të përdorë armë bërthamore.

“Për Putinin, çuditërisht pozicioni i tij në shkallë ndërkombëtare ka rëndësi. Nëse e bënte një gjë të tillë, ai do ta bënte Rusinë një Kore të madhe Veriore një shtet të pafavorshëm për të ardhmen. Dhe Putini është paralajmëruar jo vetëm nga ne, por edhe nga indianët nga kinezët, se opsioni bërthamor as që duhet të merret në konsideratë”, thotë ajo.

Rusia ka propozuar negociata për t’i dhënë fund luftës, një propozim që është konsideruar hipokrizi nga Ukraina dhe perëndimi, duke pasur parasysh se forcat ruse vazhdojnë agresionin ndaj Ukrainës. Zonja Rice thotë se “diplomacia e negociatave ndjek situatën në terren, jo anasjelltas” dhe rrjedhimisht ky nuk është momenti për negociata.

“Mendoj se duke pasur parasysh se populli ukrainas ka vuajtur, ka pësuar krime lufte, ka vuajtur shkatërrimin e territorit të tij, qyetarët e të cilit janë marrë nga rusët, ne si amerikanë nuk mund ta mbështesim idenë e negociatave në këto kushte. Detyra jonë është të ndihmojmë Ukrainën”, thotë ajo.

Zonja Rice, e cila e ka takuar personalisht dhe e njeh presidentin rus, thotë se nuk beson se ai është joracional, por se ambicjet e tij ideologjike për të rikthyer perandorinë ruse, janë të rrezikshme, pasi në botëkuptimin e tij nuk mund të kesh perandori ruse pa Ukrainën.

“Kjo do të thotë se është diçka thellësisht emocionale dhe ndoshta për momentin e panegociueshme në mënyrën e tij të të menduarit, dhe prandaj duhet ndihmuar Ukraina dhe atij duhet t’i tregohet se kjo nuk do të jetë e mundur dhe pavarësisht se sa sa do të donte ta arrinte këtë, nuk do të ndodhë”, thotë ajo.

Në vitin 2008, kur zonja Rice ishte Sekretare e Shtetit në administratën e ish-presidentit George Bush, në deklaratën përfundimtare të takimit të nivelit të lartë të Bukureshtit, u tha se Gjeorgjia dhe Ukraina do të bëheshin anëtare të NATO-s. Disa thonë se kjo e provokoi presidentin rus, por zonja Rice thotë se ai ishte veprimi i duhur. Megjithatë ajo mendon se në momentin aktual, fokusi duhet të jetë tek fitorja e Ukrainës.

“Do të vijë koha, dhe presidenti Zelenskyy e ka thënë këtë, që do të na duhet të mendojmë se si ta sigurojmë Ukrainën në të ardhmen, çfarë lloj garancish sigurie duhet të ketë. Por mendoj se kjo duhet bërë në një moment tjetër. Le të bëjmë gjithçka që mundemi tani për të zmbrapsur agresionin dhe për ta bërë këtë me një ndjenjë urgjence në mënyrë që kur të arrijmë në periudhën e rindërtimit pas luftës në Ukrainë, ajo të jetë në një pozicion më të fortë”, thotë ajo.

Zonja Rice thotë se ajo do të kishte dashur të shihte një përgjigje më të fortë nga Shtetet e Bashkuara, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, kur në pushtet ishte administrata demokrate e presidentit Barack Obama, por shton se pas aneksimit ndihma perëndimore e bëri më të fortë dhe moderne ushtrinë ukrainase.

“Mendoj se Ukraina filloi të shëronte disa nga konfliktet e saj të brendshme dhe u shfaq qartë një ndjenjë e fortë e identitetit kombëtar ukrainas, madje edhe me ata në lindje. Dhe kështu, megjithëse do të kisha shpresuar që të kishim bërë më shumë, ajo nuk ishte kohë e humbur”, thotë ajo.

Zonja Rice thotë se Amerika është në krah të popullit ukrainas dhe se Shtetet e Bashkuara do të jenë në krah të Ukraimës, kur agresioni rus të zmbrapset dhe të jetë koha për të rindërtuar./VOA

(Kosova Sot Online )