Ja pse Vuçiq i drejtohet grupit rus Wagner

  • A.P /
  • 17 January 2023 - 16:01
Ja pse Vuçiq i drejtohet grupit rus Wagner

Grupi rus “Wagner” po rekruton serbë për të luftuar në Ukrainë në krahun e forcave pushtuese ruse, kishte deklaruar këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këto shqetësime Chollet i ka shfaqur më 12 janar, gjatë vizitës në Beograd.

“Ne kemi parë që Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe vende të tjera [dhe] besojnë se kjo nuk duhet të vazhdojë. E di që këtu ka shqetësim për këtë. Ne kemi shprehur shqetësimet tona. Pres me padurim të bashkëpunoj me qeverinë në Beograd – siç kemi bërë me vendet e tjera, për t’i dhënë fund një aktiviteti të tillë”, kishte thënë ai.

E Beogradi “ka reflektuar” në këtë drejtim, së paku në mënyrë deklarative.


Gjiganti mediatik “Reuters”, ka transmetuar një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksndër Vuçiq, i cili ka kërkuar nga grupi rus “Wagner” që të mos rekrutojë serbë për luftën në Ukrainë.

Vuçiç kritikoi faqet e internetit të Rusisë dhe grupet e mediave sociale për publikimin e reklamave në gjuhën serbe në të cilat grupi Wagner thërret vullnetarët që t’i bashkohen radhëve të tij.

“Pse ju, nga Wagner, telefononi dikë nga Serbia kur e dini se kjo është kundër rregulloreve tona?” ka thënë Vuçiq, transmeton Reuters.

Mediumi vazhdon duke treguar se vullnetarët serbë morën pjesë në luftime së bashku me forcat pro-ruse në Ukrainë në 2014 dhe 2015. Askush nuk ka një ide të qartë të numrave të saktë në çdo kohë, por dhjetëra serbë janë regjistruar për të luftuar në Ukrainë që nga viti 2014, thonë vëzhguesit.

“Legjislativi serb ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në konfliktet jashtë vendit dhe disa persona janë dënuar për këtë”, tregon mediumi.

Vuçiç mohoi akuzat se grupi Wagner, i udhëhequr nga Evgeny Prigozhin, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka një prani në Serbi ku organizatat pro-Kremlinit dhe ultranacionaliste kanë mbështetur pushtimin e Ukrainës.

Reuters tregon se Serbia është vend kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Por e transmeton edhe lidhjen e ngushtë ruso-serbe mbi bazën e sllave dhe ortodokse.


(Kosova Sot Online)