Begaj: Shqipëria krah Kosovës

  • A.P /
  • 23 January 2023 - 17:39
Begaj: Shqipëria krah Kosovës

Qëndrojmë krah Kosovës dhe vlerësojnë ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të shtetit, ka theksuar presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Begaj ka thënë se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje përfundimtare që do të çojë në njohje të ndërsjellë.

Kreu i shtetit shqiptar ka përmendur zhvillimet e dhjetorit në veri në të Kosovës, ku grupe kriminale të Serbisë kishin vendosur barrikada, për çka Begaj ka thënë se ishte situatë delikate e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.

Begaj gjithashtu ka thënë se viti 2022, ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë kombëtare në Shqipëri.

(Kosova Sot Online)