Lajçak i tregoi për takimet me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën: Kurti: Duhet angazhim shumë më i madh

  • E.K /
  • 26 January 2023 - 15:15
Lajçak i tregoi për takimet me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën: Kurti: Duhet angazhim shumë më i madh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kanë folur edhe për takimet që ai ka zhvilluar me vendet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin akoma Kosovën, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se ne qoftë se pesë vendet e BE – së që nuk e njohin Kosovën, me njohjen e tyre do ti hapet rruga Kosovës për integrim në NATO dhe BE.

“Na tregoi neve edhe për takimet që i ka pasë dhe në këto takime ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me ajo që është e nevojshme për neve, pra njohja. Mirëpo, s’ka hapa konkretë. Unë besoj që duhet angazhim shumë më i madh që të kemi hapa konkretë. Pesë vende të BE-së s’e njohin Kosovën – përmes njohjes së tyre do të na hapnin plotësisht për integrim në NATO dhe BE dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai shtoi se njohja nga këto pesë shtetet është minimalja e asaj që presin kosovarët në raport me vendet demokratike europiane.

“Natyrisht që po të kishim ne mundësinë për ulëse në OKB gjithçka do të ishte më kollaj, por duke pasë parasysh që në Këshill të Sigurimit të OKB-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën, ajo çka minimumi çka qytetarët e Kosovës e presin është që pesë shtetet demokratike europiane t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”.

(Kosova Sot Online)