Shkrimi viral: Ramës i duhet lobimi te FBI nga frika e trafikut të drogës

  • E.K /
  • 01 February 2023 - 12:04
Shkrimi viral: Ramës i duhet lobimi te FBI nga frika e trafikut të drogës

Prej shpërthimit të skandalit të Edi Ramës dhe Charles McGonigal, mediat amerikane po i mëshojnë faktit se Edi Rama është i lidhur me kartelin meksikan të Sinaloas. Ky është karteli më i madh dhe më i rrezikshëm në historinë botërore.

Por përse këto media po i mëshojnë kaq shumë këtij varianti? Gazetari Çim Peka, në një shkrim të bërë viral në median sociale, thekson se Edi Rama ka lobuar te elementët e FBI-së për shkak të frikës që ka prej lidhjeve të tij me organizatat e trafikut të drogës.

Ja çfarë shkruan Peka ndër të tjera:

Lobimi ndaj Berishës dhe Metës është aksesor dhe jo qëllimi parësor i Ramës në kontaktet e tij me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të FBI-së. Dhe ja se pse.

Në një emision radiofonik të publikuar së fundmi, gazetari dhe opinionisti republikan amerikan Dan Bongino e lidh Edi Ramën me kartelin jug-amerikan të drogës Sinaloa. Viti 2017 solli për herë të parë në Shqipëri ish-drejtuesin e arrestuar të FBI, McGonigal së bashku me dy ish-drejtues të tjerë të FBI. Këtë vit Edi Rama u takua së paku dy herë me ta në Tiranë. Po në 2017 Saimir Tahiri u largua nga posti i Ministrit të Brendshëm për t’u arrestuar më vonë. Lidhjet e tij me trafikun e drogës janë tashmë të ditura. Por nuk mjafton me kaq. Nuk janë vetëm këto kontaktet e Edi Ramës me ish-drejtues të FBI-së.

Po në vitin 2017, në Shqipëri vjen disa here edhe ish-drejtori i FBI në kohën e Clinton, Louis Freeh. Përveç takimeve me Ramën, ai u takua disa herë edhe me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Në media u fol atëherë se Qeveria Shqiptare kishte lidhur një kontratë konsulence me kompaninë e këtij të fundit, Freeh Group International Solutions, kompani e cila kishte në përbërje të saj disa ish-zyrtarë të FBI-së. Kontrata është sekrete dhe nuk dihet përmbajtja e saj, por ajo që Ministria e Brendshme u shpjegoi shqiptarëve është se prej këtij bashkëpunimi rezultoi edhe i ashtuquajturi operacioni ‘Forca e Ligjit’. Me apo pa dijeninë e ish-drejtorit të FBI-së, Louis Freeh, operacioni, ideja e të cilit i atribuohet atij, rezulton të jetë një operacion shtetëror për të legalizuar pasuritë kriminale.

Po në vitin 2017, agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA, DEA dhe FBI filluan të kthejnë radarët e tyre drejt Shqipërisë për shkak të shtrirjes së grupeve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, dhe rritjen ekstreme të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.

Po në vitin 2017, thuhet se shërbimet e ndryshme filluan të bien në gjurmë të llogarive bankare të Ramës në Singapor, llogari të menaxhuara nga një qytetare zvicerane, frankofone, e cila punonte për një bankë britanike në Londër.

Po pse kjo dashuri e shtuar e Ramës për kontakte dhe kontrata me drejtues dhe ish-drejtues të FBI-së? Sepse Rama e di më mirë se kushdo tjetër, se në raport me SHBA-të mund të bësh shumë gjëra dhe nuk të gjen gjë, përveç dy vijave të kuqe të cilat nuk të lejojnë t’i kalosh: së pari llogaritë bankare në dollarë, dhe së dyti implikimi në trafikun e drogës që prek vetë SHBA-të. Rama në vitin 2017 i kishte kaluar këto dy vija të kuqe, dhe kontaktet me drejtues dhe ish-drejtues të FBI-së i duheshin pikërisht për të krijuar mbrojtje për vete. Sulmet ndaj opozitës kana ardhur si pasojë e këtyre kontakteve, por nuk kanë qenë synimi primar i Ramës.

(Kosova Sot Online)