Serwer: Nuk duhet të ketë ndryshime në kushtetutën e Kosovës pa ndryshime në atë të Serbisë

  • A.P /
  • 04 February 2023 - 15:50
Serwer: Nuk duhet të ketë ndryshime në kushtetutën e Kosovës pa ndryshime në atë të Serbisë

“Mendoj se është e dobishme që kryeministri Albin Kurti të ketë deklaruar qartë se cilat janë kushtet e tij. Kjo është shumë më mirë sesa thjesht të refuzosh Asociacionin”, ka theksuar profesori amerikan i John Hopkins, Daniel Serwer, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Emisari amerikan, Gabriel Escobar, edhe në një intervistë të fundit e përsëriti se marrëveshja për Asociacionit s’është mes Kurtit e Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë do të zbatohet. Kjo deklaratë e tij erdhi pas një takimit në ambasadën amerikane ku u diskutua për Asociacionin, por pa kryeministrin Kurti. Ky i fundit reagoi dy ditë më pas reagoi.

“Kjo është një përgjigje pozitive, por disa nga kushtet do të paraqesin qartë pengesa për një marrëveshje. Negociatat duhet të fokusohen në to”, thotë Serwer.

Ndër gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti për Asociacionin si më e vështira që u pa në opinion ishte hyrja në fuqi e Asociacioni pas njohjes reciproke. Për këtë pikë partitë opozitare sugjeruan se ai po mashtron opinionin dhe se me këtë i referohet planit franko-gjerman që nuk e përmban njohjen reciproke.

Profesori amerikan thotë se këtë pikë Kurti duhet ta sqarojë më tej.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi një version zyrtar të planit, kështu që është e vështirë të komentohet. Por, unë pajtohem me kryeministrin se Asociacioni do të duket ndryshe nga Prishtina në kontekstin e njohjes”.

Por, sa janë gjasat që Serbia ta pranojë një Asociacion ku ajo s’mund të ushtrojë pushtetin e saj?

“Është e qartë se ky nuk është lloji i Asociacionit që Beogradi ka në mendje. Pra, duhet të pyesni presidentin Vuçiq”.

Gjithashtu, Serwer thotë se ende nuk sheh ndonjë arsye për ndryshime në Kushtetutën e Kosovës, e cila mund të akomodojë një Asociacion që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Sigurisht që nuk duhet të ketë ndryshime në kushtetutën e Kosovës pa ndryshime në kushtetutën e Serbisë”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)