Osmani shkon në Mal të Zi, zbulohet arsyeja

  • A.P /
  • 06 February 2023 - 17:16
Osmani shkon në Mal të Zi, zbulohet arsyeja

Me ftesë të homologut të saj Milo Gjukanoviq  për vizitë zyrtare në Mal të Zi, sot ka udhëtuar Presidentja Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidenca thotë se Osmani do të zhvillojë takim me Gjukanoviqin, “ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit”.

“Presidentja Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet edhe me Kryeministrin Dritan Abazoviq”, njoftoi Presidenca.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.


“Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës. Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)