
Haxhiu i kërkon prokurorit të tërhiqet për gazin lotsjellës: Dorëzohu

Prokurorit Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza pasi mungon ekspertiza dhe faktet për gazin lotsjellës, i ka bërë thirrje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Thirrja e Haxhiut drejtuar prokurorit është bërë të premten në seancën gjyqësore ku ajo bashkë me deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombol të gazit.
“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.
Kërkesa e Haxhiut ka ardhur pasi është vendosur të kërkohet ekspertizë balistike jashtë Kosovës për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë pasur të akuzuarit.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se pa një ekspertizë të tillë nuk mund të ftohen, gjykohen e dënohen.
“Konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme, pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të ftohen, gjykohen, dënohen personat pa një ekspertizë të tillë. Pra, nuk mund te gjykohen personat me interpretime të prokurorit, duhet të ketë prova, duhet të ketë fakte, duhet të ketë ekspertizë”, ka shtuar ajo.
(Kosova Sot Online)