Afera Rama-McGonigal/ ‘Si u gjobit biznesmeni nga Duçka dhe Neza’

  • E.K /
  • 25 February 2023 - 10:05
Afera Rama-McGonigal/ ‘Si u gjobit biznesmeni nga Duçka dhe Neza’

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi dje konkretisht një rast të gjobëvënies nga agjenti i diskredituar i FBI, Charles McGonigal dhe ekipi i tij.

“Në takimin tonë para një jave, unë ju informova ju se ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.

Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora Neës, Ylli Ndroqi.

Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve.

Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane.

Por, Ylli Ndroqi dhe jo vetëm ai, janë dëshmitarë të skenave të shëmtuara që këta çakej, kërcënonin biznesmenët e tjerë, natyrisht edhe në praninë e Taulant Ballës. Mbrojtja që Edi Rama i bën Dorian Duçkës dhe Agron Nezës është mbrojtje që i bën vetes së tij. Kjo skemë është e bekuar dhe e përdorur edhe për interesat e Edi Ramës.

Unë e përgëzoj Ylli Ndroqin për qëndrimin e tij të guximshëm dhe burrëror ndaj këtyre mafiozëve, por e përgëzoj edhe për vendimin që mori, pasi unë natyrisht pa autorizimin e tij publik, nuk e bëja, për ta bërë publike këtë ngjarje të shëmtuar në restorantin Padam, në të cilin gjobat e Duçkës dhe Nezës ishin stratosferike. Gjobat që ata vinin në një ditë ishin të ardhurat e një restoranti apo një hoteli në 1 apo 2 vite.

SKAP-i i partisë fut kokën nën jorgan. Nuk ka qëndrime më të turpshme se këto. Gjobëvënës që qarkullojnë në emër të McGonigal me lejen dhe autorizimin e kryeministrit. Për SKAP-in, asgjë nuk ka ndodhur.

E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të blacklistuar dhe përgojoheshin emra. Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën. Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i plaçkitur ato ata në mënyrën më antiligjore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim.

Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare.

I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit.

Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së, atë e bënë në emër të McGonigal. Ajo që u tregonte, njëri distinktivin, kurse tjetri me krenari të madhe, ambasadoren si ndjekëse të tij, viktimave. Uroj që ky problem të hetohet, ne do kontribuojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama dhe do të bëjmë gjithçka të japim kontributin tonë në interesin më të mirë të Shqipërisë, por edhe të partnerëve tanë.

Edhe njëherë dënoj këtë veprimtari të shëmtuar, të turpshme,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)