Bosch: Vuçiqi po tregon fytyrën e vërtetë

  • A.P /
  • 02 March 2023 - 19:13
Bosch: Vuçiqi po tregon fytyrën e vërtetë

Pas deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth propozimit të BE-së, ka reaguar ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas refuzimit të Vuçiqit që ta nënshkruaj Marrëveshjen sipas propozimit të BE-së, Bosch ka thënë se regjimi në Serbi nuk duhet të trajtohet me “dorëza mëndafshi”, por të kenë frikë nga më e keqja.

‘Vuçiq tregon fytyrën e tij të vërtetë! Asnjë lëvizje përsëri në shesh. Shpresoj tani presion real mbi regjimin [në Serbi] pasi tani përsëri pothuajse të gjitha shpresat u prishën. Këtë herë ata nuk duhet të trajtohen përsëri me doreza mëndafshi, por të kenë frikë nga më e keqja duke parë përvojën e kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.

Këto komente Bosch i ka bërë duke komentuar një artikull në Euractiv, me titull “Serbia tërhiqet nga sinjalet pozitive ndaj propozimit të BE-së për Kosovën.

Edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka kritikuar ashpër presidentin serb Vuçiq, që refuzoi të nënshkruante propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai e konsideron këtë qëndrim të Vuçiqit zhgënjyes dhe të pritshëm.

Ndryshe BE-ja insiston që Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë, ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes dhe interpretimeve të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar, raporton REL.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.

“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, tha ky zyrtar, duke shtuar se pasi të nënshkruhet, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese.

Kurti deklaroi të hënën pas takimit se ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte i gatshëm.
Presidenti Vuçiq, ndërkaq, ka thënë në një intervistë në një televizion të Serbisë se ai vërtet nuk ka dashur ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Vuçiq ka folur më shumë për planin e implementimit.

BE-ja pret që palët të dërgojnë reagimet e tyre lidhur me draftin e planit të implementimit që kanë marrë nga Brukseli.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.


(Kosova Sot Online)