Freedom House: Shqipëri, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze

  • E.K /
  • 09 March 2023 - 11:34
Freedom House: Shqipëri, korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze

Organizata Freedom House publikoi më 9 mars, raportin për liritë në botë, ku thuhet se liria shënoi rënie për të 17-in vit me radhë dhe nxjerr në krye, agresionin e Moskës kundër Ukrainës. Në raportin e publikuar sot nga Zëri i Amerikës flitet për Shqipërinë si një vend që nuk ka bërë asnjë ndryshim nga e kaluara.

"84 vende të botës përfshihen na kategorinë e vendeve të lira, ndërsa 57 në vende jo të lira - njofton Zëri i Amerikës - Organizata radhiti vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Në këtë kategori përfshihen 54 nga 195 vendet për të cilat flet raporti.

Amy Slipowitz, nga organizata Freedom House, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se Shqipëria nuk shënoi ndonjë ndryshim nga e kaluara. “Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha ajo.

Sipas raportit Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e Freedom House që shkon deri në 100 pikë. Zonja Slipowitz tha se kjo është një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha ajo.

Raporti mbi Liritë në Botë, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë trendet globale për një gjysmë shekulli".

(Kosova Sot Online)