Kica:As ju kryeministër e as deputetët e juaj nuk po e dini çka i bie vetmenaxhimi

  • A.P /
  • 23 March 2023 - 20:22
Kica:As ju kryeministër e as deputetët e juaj nuk po e dini çka i bie vetmenaxhimi

Qeverinë e vendit dhe kryeministrin Albin Kurti për zhvillimet që kanë ardhur nga takimi i Ohrit sa i përket aneksit të zbatimit të planit evropian për dialogun, e ka kritikuar deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo, në seancën e sotme të kuvendit në të cilën Kurti ka për të raportuar për të njëjtën çështje, ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me kryeministrin nuk janë duke ditur për të sqaruar termin e vetmenaxhimit për të cilin kreu ekzekutivit ka deklaruar se është në kuadër të ankes planit të zbatimit evropian.

“Pse neni shtatë i ankesit flet për vetmenaxhim? Pse thoni se neni shtatë është më pak se neni dhjetë? Kur thoni kryeministër se neni shtatë është më pak se neni dhjetë, apo flasim për një kolizion të neneve, nuk keni thënë asnjëherë në marrëveshje këtë, kjo nuk mund të qëndrojë”, ka thënë Kica-Xhelili.

“Neni shtatë i marrëveshjes është i paqartë. As ju kryeministër e as deputetët e juaj nuk po e dini çka i bie vetmenaxhimi, çka është më i mirë vetmenaxhimi? Por, si është më i mirë? Nuk mund të jetë më i mirë sepse e ke nenin dhjetë që e kufizon nenin shtatë”.

(Kosova Sot Online)