Ja pse Clinton pendohet për memorandumin e Budapestit

  • A.P /
  • 05 April 2023 - 20:27
Ja pse Clinton pendohet për memorandumin e Budapestit

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka thënë se i vjen keq që i bindi autoritetet ukrainase të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore në vitin 1994. Nëse Kievi do të kishte ende një arsenal bërthamor, thotë Clinton, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën. Ai e tha këtë në një intervistë për RTÉ irlandez, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ndjej një përgjegjësi personale sepse e bëra Ukrainën të pranonte të heqë dorë nga armët e saj bërthamore. Askush nuk beson se Rusia do ta bënte këtë zgjedhje nëse Ukraina do t’i kishte ende ato armë,” tha Clinton.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, Ukraina u bë fuqia e tretë më e madhe bërthamore në botë. Por në vitin 1994, pas bisedimeve midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, Clinton njoftoi se Ukraina kishte rënë dakord të largonte armët bërthamore nga territori i saj.

Në 1994, Presidenti ukrainas Leonid Kuchma, Presidenti rus Boris Yeltsin, Presidenti i SHBA Bill Clinton dhe kryeministri britanik John Major nënshkruan Memorandumin e Budapestit, sipas të cilit Ukraina ra dakord të heqë armët bërthamore nga toka e saj, në këmbim të garancive të sigurisë nga nënshkruesit: SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia

(Kosova Sot Online)