Nesho: Korrupsioni alarmant i Qeverisë ‘Rama’ po degradon shtetin dhe vjedh shqiptarët

  • E.K /
  • 11 April 2023 - 15:09
Nesho: Korrupsioni alarmant i Qeverisë ‘Rama’ po degradon shtetin dhe vjedh shqiptarët

Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho deklaroi këtë të martë se të gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë që qeverisen nga një kryeministër, një qeveri dhe çdo zyrtar qëndror dhe lokal që vetëm bëjnë korrupsion dhe dëmtojnë interesin publik.

Nga foltorja e PL-së, Nesho theksoi se janë tepër tronditëse faktet e njëpasnjëshme, që e gjithë administrata e pushtetit lokal, e cila në këto 4 vite ka qenë moniste, totalisht në një dorë, dhe për të gjithë shqiptarët është tashmë mëse e qartë se pushtetarët lokalë, që nga kryetarët e bashkive dhe deri tek drejtorët e tyre janë të përfshirë në afera të të gjitha llojeve.

“Nuk ka si të ndodh ndryshe, përderisa regjimi i sotëm që ka kapur shtetin, që nga Kryeministri dhe gjithë qeveria, janë të përfshirë në afera shumë të rënda, si inceneratorët, Porti i Durrësit, kanë grabitur qindra miliona euro nga taksat dhe djersa e qytetarëve.

Kjo situatë, i ka bërë mijëra shqiptarë të lënë vendin dhe Shqipëria të përballet me një shpopullim, më të rëndë se edhe ai I fund viteve 90, dhe ku shkaku I vetëm është kjo qeverisje peng e interesave të trafiqeve, të pastrimit të parave, dhe të çdo afere tjetër.

Kjo situatë, ka kompromentuar shumë seriozisht raportet me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i mbajtur dhe larg investitorët e huaj.

Letra e fundit e Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, në përgjigje të deputetëve të Opozitës, konfirmoi që afera e Portit të Durrësit, ishte në shkelje të hapur të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe të transparencës së fondeve publike.

Një tjetër fakt i rëndë është çështja e Beçheti, ku Shqipëria humbi mbi 110 milionë Euro vetëm prej veprimeve arrogante dhe antiligjore të Edi Ramës.

Afera McGonigal dhe roli dhe përgjegjësitë që rëndojnë mbi Edi Ramën, ishin provë tjetër që interesat mafioze janë vendosur mbi ato shtetërore.

Është një thirrje e madhe Alarmi, deklarimet e Edi Ramës për të dalë nga organizmat ndërkombëtare, sic është Gjykata e Arbitrazhit, duke vendosur Shqipërinë në një nivel me Venezuelën dhe Bolivinë, duke përkeqësuar në mëyrë kritike imazhin e Shqipërisë, kompromentimin me organizmat të rëndësishme botërore, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe duke goditur rëndë mundësinë e thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Partia e Lirisë, është që të gjitha asetet strategjike të vendit, të jenë pjesë të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikes, dhe me rikthimin e opozitës në qeverisjen e vendit, ne do të garantojmë bashkëpunimin prioritar dhe të patjetërsueshëm me këta partnerë strategjikë, dhe do të garantojmë procedura transparente të standardit më të lartë Europian, si përgjigja më e mirë për zhvillimin e vendit, për eliminimin e pastrimit të parave dhe për ti dhënë një hov zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe për ti rikthyer shpresën qytetarëve për të rindërtuar të ardhmen në Shqipëri.Qytetarët Shqiptarë do ta thonë fjalën e tyre shumë fort në 14 Maj, në zgjedhjet e pushtetit lokal, për eleminimin e plotë të monizmit dhe mungesës së llogaridhënies, në mënyrë që çdo e mirë publike të jetë në favor të tyre dhe jo të korrupsionit qeverisës.Në datën 15, në orën 12:00, në Stadiumin Air Albania, mijëra shqiptarë do të transmetojnë mesazhin e ndryshimit dhe të fitores së madhe, dhe të rikthimit të shpresës për të gjithë shqiptarët”, theksoi Agim Nesho.

(Kosova Sot Online)